"Mos fiksoni çmimet, pasi gjobat janë të larta", AKK u tërheq vërejtjen bizneseve

Ekonomi

"Mos fiksoni çmimet, pasi gjobat janë të larta", AKK u tërheq vërejtjen bizneseve

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 11:48
Ilustrim

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve që ofrojnë shërbime dhe produkte të ndryshme në treg që të përmbahen nga praktika e arritjes së marrëveshjeve për ngritje të bashkërenduar të çmimeve, meqë një gjë e tillë cenon konkurrencën e ndershme në treg dhe sanksionohet me legjislacionin në fuqi.

Përmes një njoftimi për media AKK ka bërë të ditur se një monitorim i tillë është veçanërisht i nevojshëm gjatë stinës së verës, për shkak të tendencës së disa sektorëve për të fiksuar çmimet e shërbimeve dhe produkteve të caktuara, në kohën kur mërgata është duke kaluar pushimet në vendin tonë.

“Fiksimi i çmimeve përmes praktikave të bashkërenduara është shkelje e rëndë e konkurrencës, meqë ua pamundëson qytetarëve të kenë llojshmëri të çmimeve për një produkt apo shërbim të caktuara. Për këtë arsye, edhe Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parasheh gjoba të larta ndaj atyre që veprojnë jashtëligjshëm. Këtë thirrje publike, Autoriteti i Konkurrencës e bazon në mandatin e tij për të avokuar sa më gjerësisht për politikat e konkurrencës dhe vetëdijesimin e akterëve në treg për dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës” është thënë në njoftimin e AKK-së.

Autoriteti i Konkurrencës i ka ftuar të gjitha palët që t’i drejtohen AKK-së për çdo iniciativë, informatë, sqarim që ata mund të kenë të nevojshme lidhur me politikat e konkurrencës duke plotësuar kërkesën në webfaqen e këtij autoriteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat