Çka janë “Bonot e Diasporës” dhe si të investohet? Tregojnë ekonomistët

Ekonomi

Çka janë “Bonot e Diasporës” dhe si të investohet? Tregojnë ekonomistët

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 16:27
Ilustrim

Edhe Qeveria. E edhe diaspora.

Të dyja po pretendojnë t`ia shohin hairin vendimit për bonot.

Qeveritarët po duan të hyjnë në borxh te mërgimtarët dhe paratë e tyre t`i përdorin për zhvillimin ekonomik të vendit.

E mërgimtarët, që janë të gatshëm t`i japin ato, të fitojnë pastaj diçka më shumë kur të ndodh kthimi i tyre.

Ata që i afatizojnë paratë e tyre për tri vjet do të përfitojnë normë vjetore interesi 1.20%, ndërsa ata në periudhë 5 vjeçare me normë vjetore 2.20%.

Kështu ka vendosur Ministria e Financave, e cila hapi afatin për investim të mërkurën e që vlen deri më 21 gusht. Vlera totale e bonove pritet të jetë 20 milionë euro.

Këtë veprim të Qeverisë ekonomisti, Musa Limani s`po e vlerëson si politikë të mirë ekonomike që mund të lë ndonjë shenjë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Nuk është ndonjë masë efektive që tërheqë mjetet e diasporës për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Politika duhet t`i stimulojë përmes politikave fiskale, kreditore, por jo me ju shitë bonove, me të nuk bën asgjë. P.sh me i liru ata nga TVSH-ja, Dogana. Për mua këto do të ishin masa kryesore”, deklaroi ai.

Të kundërtën po e thotë ekonomisti Bardh Ahmeti.

Ky tha se shitja e bonove është një praktikë e mirë, që mund të jap efekte pozitive për ekonominë.

“Është e mirë, ngase i mobilizon mjetet e diasporës. I sjell në vend ato. Kjo është një metodë mjaft e pëlqyeshme. Gjeneron kapitalin e diasporës. Paratë shkojnë pëe zhvillim ekonomik dhe jo aktivitete të tjera. Bonot nuk i krijojnë barrë dikujt. Është mundësi për investim”, u shpreh ai.

Kthimi i borxhit që merr Kosova është i garantuar me Ligjin mbi Borxhin Publik dhe i jepet përparësi ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë.

Në rast se paratë i duhen investuesit para se të përfundojë afati i investimit, ai mund t`i shesë Bonot dhe t’i marrë paratë.

Investues mund të jenë të gjithë personat privatë, me përjashtim të bizneseve, përfshirë edhe shtetasit e Kosovës, njofton Ministria e Financave.

Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është 500 mijë euro.

Bankat ku mund të blihen bonot janë:

• Banka Ekonomike;
• Banka Kombëtare Tregtare;
• Banka për Biznes;
• NLB Banka;
• ProCredit Bank;
• Raiffeisen Bank.

Kjo u arrit falë memorandumit për bashkëpunim në mes këtyre bankave komerciale, Ministrisë së Financës dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat