Paralajmërimi për masa të reja, reagojnë gastronomët

Ekonomi

Paralajmërimi për masa të reja, reagojnë gastronomët

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 22:04
Foto ilustrim

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka thënë se gastronomët nuk e pranojnë asnjë masë të re kundër COVID-19, pa diskutuar fillimisht me Qeverinë për mbështetje financiare.

Kllokoqi përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se nuk është zgjidhje të mbyllen bizneset e të lihen hapur kufijtë, por të dilet me një plan financiar se si të kompensohet dëmet e shkaktuara.

“Shoqata e Gastronomëve asni masë nuk e pranon pa e takuar Hekuran Muratin për të diskutu mbështetjen financiare të gastronomisë! Shoqata e gastronomve ka inkuraju vaksinimin, ka bërë fushatë të vaksinimit dhe ka bërë obligim për anëtaret e saj që të vaksinohen të gjithë! Andaj, e lusim Qeverinë që të funksinojë si trung e jo si degë. Jemi të kuptueshëm ndaj situatës, mirëpo duhet kompenzim! Ma mirë të na mbyllni komplet e të na subvenciononi, se sa të na leni me punu në shi e të ftoftë, e pa mbështetje financiare!”, ka thënë Kllokoqi.

Sipas tij, terminët për vaksinim po vonohen, prandaj më mirë është të hapen qendra vaksinim se sa të ashpërsohen masat.

Oda e Hotelerisë së Kosovës ka bërë të ditur të enjten se nga një takim që ka pasur me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, është vendosur që së shpejti të dilet me masa të reja anti-COVID.

Numri i vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus janë rritur dukshëm ditëve të fundit në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 18 persona e janë paraqitur 2,295 raste pozitive derisa numri i rasteve aktive është 24,939.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat