Kamionët e “Elektro Sever” po bllokojnë rrugët në veri

Ekonomi

Kamionët e “Elektro Sever” po bllokojnë rrugët në veri

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 16:08
Ymer Fejzullahu,

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se licencimi i kompanisë “Elekro Sever” që operon në veri të vendit varet nga anëtarësimi i KOSTT-it në ENTSO-E. Ai tha se kjo kompani po merr pjesë në bllokadën e rrugës në veri të vendit që po ndodh pas implementimit të reciprocitetit në targa nga ana e Kosovës.

Gjatë raportimit në komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku është diskutuar raporti vjetor i ZRRE-së për vitin 2020, Fejzullahu ka folur edhe për lëshimin e lejeve për hidrocentrale nga ana e këtij autoriteti.

Fejzullahu: Licencimi i “Elektro Sever” i ndërlidhur me anëtarësimin e KOSTT-it në ENTSO-E

“Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë paraparë që edhe licencimi i ‘Elektro Sever’, mirëpo licencimi i ‘Elektro Sever’ është i ndërlidhur në bazë të marrëveshjes edhe me anëtarësimin e KOSTT-it në ENTSO-E. Meqenëse ky proces është i ndërlidhur për ata unë po e shpjegoj që procesi i licencimit të ‘Elektro Sever’ është i ndërlidhur edhe me procesin e anëtarësimit të KOSTT-it në ENTSO-E. Një prej pikave në kuadër të konkluzave të marrëveshjes thotë që ‘Elektro Sever’ do të licencohet kur KOSTT-i të bëhet anëtare e ENTSO-E. KOSTT ka nënshkruar një marrëveshje me ENTSO-E, mirëpo nuk është bërë anëtare e ENTSO-E”, tha ai.

Ai u shpreh se në bllokadën që po ndodh në veri të vendit për shkak të zbatimit të masës së reciprocitetit janë edhe kamionët e kësaj kompanie.

Fejzullahu: Ata kanë guxuat të dalin t’i bllokojnë rrugët me pajisje të cilat operojnë

“Më ka befasuar fakti që në këto protestat e fundit ju e keni pa që përveç që ata operojnë pa licencë dhe janë operator ilegal, ata kanë guxuar të dalin t’i bllokojnë rrugët me pajisje të cilat operojnë, kamionët e kësaj kompanie janë të vendosura në bllokimin e rrugës”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka kërkuar që gjatë shqyrtimit të kërkesës për licencim të merret parasysh fakti që një kompani po merr pjesë në bllokimin e rrugës.

Shala: Këtë fakt duhet ta keni parasysh gjatë shqyrtimit të kërkesës

“Ju i keni evidentuar dhe sigurisht ato kompani të cilat kanë aplikuar që sot janë pjesë e barrikadave kanë në të njëjtën kohë edhe kërkesë për licencim. Këtë fakt duhet ta keni parasysh gjatë shqyrtimit të kërkesës, pra të kompanive të cilat sot janë në barrikada në anën tjetër kanë aplikuar për licencë pranë institucioneve tona”, tha Shala.

Para deputetëve të këtij komisioni, kryesuesi i Bordit të ZRRE, Ymer Fejzullahu, tregoi se gjatë vitit 2020 janë lëshuar tri leje për hidrocentrale dhe se tregoi për kompanitë që janë licencuar për tregtim të energjisë me shumicë.

Fejzullahu: Gjatë vitit 2020 janë lëshuar tri leje apo autorizime për hidrocentrale

Gjatë vitit 2020 janë lëshuar tri leje apo autorizime për hidrocentrale, në këtë rast është Lepenci, Deçani dhe Bellaja të cilët i kanë plotësuar kushtet për dhënien e licencës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në kuadër të këtij viti janë lëshuar edhe dy licenca për tregtim me shumicë, meqenëse ndahen në dy kategori, licencat me tregti me pakicë dhe shumicë. Gjatë këtij viti kemi pasur edhe dy kërkesa për licenca për tregtim me shumicë. Tregti me shumicë është kompania Ballkan Energy furnizim me shumicë, Bindi Integrated Services furnizim me shumicë, GSA Energji që bënë furnizim me shumicë, Energy Trading Group është në kuadër të furnizimit me shumicë dhe Energy Financing Team po ashtu energji me shumicë”, tha ai.

Kryetari i komisionit Ferat Shala, ka kërkuar që të dijë se a ka kompani të energjisë që janë të licencuara por që nuk kanë leje mjedisore. Në përgjigjen e tij, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Ymer Fejzullahu, tha se është KEK-u që nuk ka leje mjedisore dhe është mirëkuptuar për shkak se është konsideruar aset strategjik i cili rrezikon sigurinë nacionale.

Fejzullahu: Një prej tyre që pothuajse asnjëherë nuk ka pas leje mjedisore është KEK-u

Një prej tyre që është pothuajse asnjëherë nuk ka pas licencë është KEK-u, leje mjedisore dhe është në proces që sa vite, kjo për shkak që është aset strategjik i cili e rrezikon sigurinë nacionale është mirëkuptuar”, tha ai.

Në mungesë të kuorumit, votimi për raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020 është shtyrë për mbledhjen e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat