​Komisioni Parlamentar vendos për organizimin e një debati për barrierat tregtare me Serbinë

Ekonomi

​Komisioni Parlamentar vendos për organizimin e një debati për barrierat tregtare me Serbinë

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 14:27
Komisioni parlamentar për Ekonomi

Komisioni parlamentar për Ekonomi ka vendosur që debati publik lidhur me barrierat tregtare Kosovë-Serbi, me propozim të KDI-së të mbahet gjatë muajt tetor, pas zgjedhjeve, ku e pranishme kërkohet të jetë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Derisa në këtë Komision deputetët e opozitës kanë ngritur edhe çështjen e krizës energjetike dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për kompensimin e rrymës së shpenzuar në veri të vendit.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala sa i përket debatit për reciprocitet me Serbinë, tha se i ndihmon proceseve ekonomike dhe tregtare me Serbinë.

Shala: Një debat i hapur i ndihmon proceseve ekonomike dhe tregtare me Serbinë

"Jemi tashmë të njohur me situatën ekonomike të vendit, barrierat dhe të gjitha sfidat që ballafaqohet ekonomia e vendit. Unë parimisht jam për me organizuar një debat të tillë, me i parë sfidat mundësitë, dhe bashkëpunimin ndër institucional, por edhe me parë ekzekutivin se deri në çfarë niveli ka ardhur për këtë situatë. Pse jo, edhe të shkëmbejmë përvojat në praktikë me ndihmën dhe mbështetjen e KDI-së... Konsideroj që përveç akterëve ekonomik, odave ekonomike, do të duhej që në këtë debat të hapur përveç Komisionit parlamentar të jetë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të sfidave dhe rrethanave që ballafaqohet vendi ynë me problemet ekonomike të cilat aktualisht po kalojmë", tha Shala.

Kurse, Armend Muja, deputet nga LVV, kërkoi që debati të organizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Muja: Debati të mbahet pas zgjedhjeve lokale

"Unë propozoj që ky debat të mbahet në një kontekst jashtë presionit të zgjedhjeve lokale", theksoi Muja.

Derisa, Pal Lekaj, deputet nga AAK-ja theksoi se një debat i tillë është i domosdoshëm për shpërfaqjen e barrierave tregtare me Serbinë.

Lekaj: Është e domosdoshme të debatohet për barrierat tregtare me Serbinë

"Mendoj se është e domosdoshme dhe Komisioni për Ekonomi është i rëndësisë së veçantë, sepse çfarë do veprimi që merr qeveria ne jemi pjesë e parlamentit dhe duhet paraprakisht të diskutohet me neve...Presioni ndërkombëtar më tepër po ndikon në politikat e brendshme të Kosovës se sa tek Serbia kur jemi te reciprociteti", theksoi Lekaj.

Sa i përket krizës energjetike, kryetari Shala ka kërkuar nga Qeveria t’i mbështesë gjigandët ekonomikë, siç janë “Trepça” dhe “Ferronikeli” që mos të humbin nga 1 mijë vende të punës.

Shala po ashtu theksoi se nëse kështu vazhdon ky trend i çmimit të lartë të energjisë, asnjë kompani në vend nuk do tw mund tw përballojë këtë krizë.

Shala: Qeveria duhet të subvencionoj gjigandët, siç është “Ferronikeli”

"Industritë janë të mëdha, kanë dalë në tregun e lirë në një moment të caktuar, por nuk do të thotë që qeveria në situata të tilla krize, ku sot aktualisht janë rreth 1 mijë punëtorë pa punë në 'Ferronikel' nuk mund t'i subvencionojë dhe të krijojë lehtësira që të kthehen prapë në tregun e KEK-ut (KEDS). Aktualisht nuk janë", tha ai.

Për krizën energjetike, deputeti Lekaj ka kërkuar të raportoj në Komision ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Deputeti Lekaj tha se po ashtu ngriti edhe çështjen e vendimit të fundit nga Gjykata Themelore për kompensimin e rrymës prej 40 milionë euro.

Lekaj: Për krizën energjetike duhet një raportim nga Rizvanolli

"Ne duhet për së afërmi të njoftohemi nga ministria për ekonomi, dhe edhe ZRRE-ja meqë kemi një vendim të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit që tani KEDS-i duhet t'i kompensoi diku 40 milionë euro. Ne kemi bërë edhe një shkelje tjetër për 11 milionë, por e lëmë që gjykata të vendos", theksoi Lekaj.

Në anën tjetër, deputeti Armend Muja theksoi se aktualisht krizë energjetike në Kosovë nuk ka.

Muja: Krizë energjetike në Kosovë nuk ka

"Nuk po më pëlqen termi krizë energjetike, sepse ende nuk kemi një të tillë si Kosovë, por unë pajtohem që në rajon mund të kemi", tha ai.

Në anën tjetër ditë më parë shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që menjëherë të miratoj fondin e konsumatorëve në nevojë për t’u përballur me këtë sfidë energjetike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat