AKP shpërndan mbi gjysmë milioni euro për 508 punëtorë të ndërmarrjeve

Ekonomi

AKP shpërndan mbi gjysmë milioni euro për 508 punëtorë të ndërmarrjeve

Më: 1 mars 2017 Në ora: 15:06
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), duke e ekzekutuar vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK), do të bëjë shpërndarjen e fondeve të 20%-shit të dedikuara për punëtorët e 9 ndërmarrjeve shoqërore (NSh).

“Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20%-it, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre  ndërmarrjeve shoqërore, kurse shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është mbi gjysmë milioni euro, € 595,342.65 (pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e treqind e dyzet  e dy €uro e 65 cent). Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 508 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20%-it”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Bartja e këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime).

Sipas kësaj komunikate, në total, Agjencia deri me tani ka shpërndarë mbi 110 milionë euro dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar mbi 46 mijë punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh të tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen në një të ardhme të afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat