Kosova përfiton 45.5 milionë euro nga fondet e IPA 2016 euro

Ekonomi

Kosova përfiton 45.5 milionë euro nga fondet e IPA 2016 euro

Më: 7 mars 2017 Në ora: 15:32
Mimoza Ahmetaj ka pranuar marrëveshjen e IPA-s 2016

(E plotësuar) - Kosova do t’i përfitojë 45.5 milionë euro nga fondet e IPA 2016. Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Genoveva Ruiz Calavera ia ka dorëzuar ministres së Integrimeve Evropiane Mimoza Ahmetaj, pakon e Programit të Asistencës së Para-anëtarësimit për vitin 2016.

Bashkimi Evropian në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën duke filluar që nga viti 2007 deri me 2013 në shumën mbi 600 milionë euro si pjesë e instrumentit të para-anëtarësimit. Ndërsa për periudhën 2014-2020 asistenca financiare e IPA-s arrin vlerën në 645 milionë euro.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Mimoza Ahmetaj tha se asistenca financiare prej 45.5 milionë euro e konfirmon edhe më tutje përkushtimin e BE-së për të përkrahur procesin e integrimit evropian për Kosovën.

Ahmetaj theksoi se të gjitha këto fonde ndihmojnë kryerjen e reformave që kanë për synim ta ndihmojnë Kosovën për të realizuar obligimet e saj në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ahmetaj: Marrëveshja e IPA 2016 do të përfshijë 45.5 milionë

“Sot pranova edhe marrëveshje financiare IPA 2016 e cila në pako do të përfshijë 45.5 milionë euro në formë të projekteve nga ana e BE-së të cilat do të ndihmojnë në realizimin e objektivave të parapara në kuadër të MSA-së, në fushat që janë, konkurrueshmëria dhe përkrahja e bizneseve, arsimi dhe punësimi, si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu do të përkrahen edhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe disa procese horizontale në procesin e integrimit evropianë”, theksoi Ahmetaj.

Ahmetaj ka shtuar se fondet e IPA-s do të përkrahin konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, politikat sociale dhe të drejtat e njeriut dhe komuniteteve.

Ahmetaj: Institucionet e Kosovës që përfitojnë nga IPA

“Shuma e paraparë për konkurrueshmëri nga BE-ja është 10 milionë euro, ndërsa po ashtu do të kemi edhe një skemë të kreditit nga ana e BERZH-it që do të përfshijë një shumë prej 20.5 milionë euro që do t’u jepet institucioneve të Kosovës. Për arsimin, punësimin dhe politikat sociale do të jepen 17 milionë euro nga BE-ja ndërsa 2 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria e Kosovës dhe 400 mijë euro nga ndërmarrjet përfituese për sferën e punësimit. Të drejtat e njeriut dhe komunitetet do të përkrahen me 8 milionë euro dhe 2.75 milionë janë bashkëfinancim nga qeveria e Kosovës. 3 milionë do të jepen për realizimin e obligimeve nga dialogu Kosovë Serbi dhe 7.5 milionë si përkrahje horizontale të procesit të integrimit evropian”, u shpreh ajo.

Në rrugën e Kosovës drejt integrimeve, ministrja Ahmetaj ka shprehur edhe optimizmin e saj se Kuvendi do të ratifikoj marrëveshjen për demarkacionin, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave.

Ndërsa, Drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në KE, Genoveva Ruiz Calavera tha se Kosova do ta ketë përkrahjen e tyre të pa kushte drejt integrimit evropian.

Calavera: Jam e kënaqur me dorëzimin e marrëveshjes financiare

“Me dorëzimin e marrëveshjes financiare jam shumë e kënaqur që t’iu uroj me të mirat për punën e juaj dhe gjithë shoqërinë në Kosovë dhe kjo është mënyra se si ne i përkrahim politikat në Kosovë që ta ndërtojmë atë në një vend apo në një shoqëri më mirë ta themi demokratike. Pjesa e parë është 17 milionë euro nga ato 35 milionë euro që i përmende dhe po përgatitemi edhe pjesën e dytë, por çka është më e rëndësishme 70 milionë euro në bashkëfinancim me qeverinë e Kosovës të bëhen diku rreth 100 milionë euro. Kjo është vetëm pjesa e parë deri në fund të vitit 2020. Në këtë rast ne shikojmë mundësinë e punësimit, rritjes së mundësive të punësimeve”, tha Calavera.

Ndërsa, për programet e mbetura 2018-2020 pritet që Kosova të përfitojë 250 milionë euro. Derisa, institucionet janë duke përgatitur pjesën e dytë të marrëveshjes për IPA 2016.

Kosovës i dorëzohet marrëveshja e IPA-s, e cila parasheh ndihmë afër 50 milionë euro

Ministrja e Integrimeve Mimoza Ahmetaj ka pranuar marrëveshjen e IPA-s 2016 e cila parasheh asistencë prej 45.5 milionë euro ndihmë për Kosovën.

Marrëveshjen ministres Ahmetaj ia ka dorëzuar sot  drejtoresha për për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera.

 Ruiz Calavera gjatë vizitës në Kosovë është takuar sot edhe me kryeministrin Isa Mustafa, pastaj do të takohet me  ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ministrin e Financave Avdullah Hoti, si dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare. 

Drejtoresha Ruiz Calavera do të vizitojë po ashtu projektet e financuara nga BE-ja dhe do të takojë përfaqësues të shoqërisë civile, studentë dhe biznesmenë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat