Kosova dhe Mali i Zi forcojnë bashkëpunimin ekonomik

Ekonomi

Kosova dhe Mali i Zi forcojnë bashkëpunimin ekonomik

Më: 17 mars 2017 Në ora: 13:46
Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe homologu i tij malazez Darko Radunoviq

Ministri i Financave Avdullah Hoti gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi është pritur nga homologu i tij malazez Darko Radunoviq, me ç’rast ka paraqitur propozimin e Qeverisë së Kosovës për organizimin dhe mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ku do të nënshkruheshin shumë marrëveshje të fushën e ekonomisë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e përgjithshme makrofinanciare, Inicimin e Marrëveshjes së Eliminimit të Tatimit të Dyfishtë, bashkëpunimin  për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes ndërmjet dy vendeve, përmirësimin e proceduarve fiskale dhe doganore, bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të informacionit në përputhje me kuadrin ligjor të secilit vend, përafrimin dhe harmonizimin e ngarkesave doganore për mallrat që paguajnë akcizë, sidomos duhanit dhe kafesë si dhe për unifikim të dokumentacionit për import – eksport.

Ministri Avdullah Hoti falënderoi ministrin Radunoviq për pritjen dhe gatishmërinë e tij dhe të shtetit të Malit të Zi për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror, si dhe për unifikimin e marrëveshjeve të cilat e shtojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik në dy vendet. Me këtë rast ministri Hoti e njoftoi homologun e tij për proceset buxhetore dhe financiare nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ndërsa, ministri Radunoviq shfaqi gatishmërinë e shtetit të tij për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij ministri Hoti u takua edhe me nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu,  si dhe me ministrin për të Drejtat e njeriut dhe pakicave, Mehmed Zenka,  ku diskutuan për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat