Mustafa në Mitrovicë: Synojmë nivelin më të shpejtë ekonomik

Ekonomi

Mustafa në Mitrovicë: Synojmë nivelin më të shpejtë ekonomik

Më: 24 mars 2017 Në ora: 16:39
Mustafa në Mitrovicë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar sot përfaqësuesit e bizneseve të rajonit të Mitrovicës.

Ai gjatë këtij takimi informues për zhvillimin e sektorit privat të mbajtur në Mitrovicë, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ministri i Financave Avdullah Hoti, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e  mëtejshëm të zhvillimit ekonomik në vend, përmes koordinimit të plotë të bizneseve dhe institucioneve.

Mustafa ka potencuar se agjenda e kësaj qeverie është zhvillimi ekonomik, duke përmendur si synime themelore të saj krijimin e kushteve të volitshme për sektorin privat dhe punësimin.

Sipas tij, është arritur që gjatë këtyre dy viteve të ketë rritje ekonomike prej 4 për qind, që në krahasim me vendet e regjionit është rritja më e lartë, si dhe është arritur që Kosova të marrë vlerësime të larta nga FMN-ja, duke qenë kështu prijëse në rajon sa i përket stabilitetit ekonomik.

Mustafa: Synojmë nivelin më të shpejtë ekonomik

“Agjenda e kësaj qeverie është agjendë e zhvillimit ekonomik, e cila ndërlidhet me krijimin e kushteve të volitshme për sektorin privat dhe punësimin, që janë synime themelore të Qeverisë. Tani në qoftëse dëshirojmë që këto synime t’i konkretizojmë, ne synojmë që të arrimë nivelin më të shpejtë ekonomik, pakon përmes një shtrirje të bizneseve në gjithë territorin e vendit, synojmë të krijojmë ambient të barabartë si brenda vendit, ashtu edhe ndërmjet firmave tona në tregun regjional dhe evropian për biznese, në mënyrë që të jenë konkurruese, pastaj synojmë të eliminojmë konkurrencën jo legale dhe pozitat monopolistike të çdo subjekti që mund ta kemi në treg, të bëhet punësim produktiv, jo vetëm punësim por punësim që vazhdohet në kushtet e tregut. Po ashtu, synojmë të barazojmë kushtet e afarizmit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat dhe përfundimisht synojmë të përmirësojmë bilancin tregtar me jashtë, në mënyrë të vazhdueshme duke zëvendësuar produktet e importit me produkte vendore. Kemi arritur që gjatë këtyre dy viteve 2015 dhe 2016 të kemi rritje ekonomike prej 4 për qind që në krahasim me rritjen ekonomike në regjion është më e lartë…Kemi vlerësime shumë të larta të Fondit Ndërkombëtar Monetar se Kosova është bërë prijëse në rajon sa i përket stabilitetit në ekonomi”, ka thënë Mustafa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke folur për rezultatet pozitive të arritura gjatë dy viteve të fundit, tha se jeta e bizneseve sot në aspektin e raportit të tyre me institucionet është më e lehtë.

Bajrami: Kemi eliminuar shumë barriera

“Kemi bërë shumë ndryshime gjatë këtyre dy viteve sa i përket ambientit të biznesit. Kemi harmonizuar në masë të madhe legjislacionin duke përafruar atë me legjislacionine BE-së dhe kemi eliminuar shumë barriera të panevojshme. Kemi përgjysmuar disa prej taksave dhe besojmë dhe jemi të bindur që sot jeta e bizneseve në aspektin e raportit të tyre me institucionet është më e lehtë”, theksoi Bajrami. 

Ndërkaq, ministri i Financave Avdullah Hoti, ka folur në mënyrë specifike për reformat fiskale dhe rezultatet e këtyre reformave.

Hoti: Është rritur punësimi me rreth 11 për qind

“Me këto pako ne kemi synuar krijimin e një ambienti më të mirë për biznes, duke u koncentruar më shumë në sektorët që janë më shumë intensiv…Si rezultat është rritur punësimi me rreth 11 për qind. Janë këto shifra të sakta nga Administrata Tatimore. Qytetarët kanë përfituar 21 milionë euro nga përfitimi nga 16 në 8 për qind për shërbime publike dhe produkte tjera. Do të kemi mbi 3 mijë biznese të reja…” tha mes tjerash ministri Hoti.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se tensionet që janë  krijuar në këtë qytet, kanë lënë Mitrovicën të pasigurtë për investime.

Bahtiri: Politikat ende të padefinuara për çështjen e Trepçës

“Politikat ende të padefinuara për çështjen e Trepçës na kanë lënë në një gjendje të rëndë, por edhe pasiguria e ndarjes së qytetit që u bë padrejtësisht…ende mos vendosja e kufirit administrativ, si dhe tensionet të cilat janë zhvilluar në mes të dy komunave…tensionet pra që janë krijuar në Mitrovicë, kanë lënë Mitrovicën të pasigurtë në investime”, sqaroi Bahtiri.

Në anën tjetër, disa nga përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur problemet dhe pengesat në të cilat hasin ata gjatë punës së tyre.

Naser Lahu, pronar i Kompanisë ‘Lahu SHPK’, ka lavdëruar punën dhe mbështetjen e Qeverisë që ka bërë për sektorin privat, por ka kritikuar ashpër gjyqësorin në Kosovë.

Lahu: Nuk kemi qasje në pronën tonë

“Kompania jonë që nga viti 2005 posedon licencën e shfrytëzimit për gurore në fshatin Zhazhë në pjesën veriore… Licenca mund të shihet, por ne nuk kemi qasje në pronën tonë për të cilën paguajmë taksë vjetore për shfrytëzim, për arsye se që nga viti 2008 e deri më sot, gjykatat e Kosovës nuk kanë vendosur akoma se kush ka të drejtë ta shfrytëzojë pronën”, ka thënë Lahu.

Ai shtoi se me një mos punë dhe neglizhencë të tillë nga ana e gjyqësorit, dekurajohen qytetarët dhe bashkatdhetarët të cilët jetojnë dhe punojnë në shtetet e ndryshme perendimore, për  të mos investuar në Kosovë.

Ndryshe, kryeministri Mustafa me bashkëpunëtorë, ka vizituar edhe disa biznese në qytetin e Mitrovicës, për t’u njohur nga afër me rezultatet e tyre, por edhe vështirësitë  dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat