Zv.kryeministri Kelmendi takoi përfaqësuesit e BERZH-it

Ekonomi

Zv.kryeministri Kelmendi takoi përfaqësuesit e BERZH-it

Më: 24 mars 2017 Në ora: 17:12
Takimi i Kelmendit me përfaqësuesit e BERZH-it

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kryesuar nga znj. Elena Petrovska, si dhe Franklin Steves – përfaqësues i Iniciativës për Klimën e Biznesit dhe Qeverisjen (ICGI).

Zëvendëskryeministri Kelmendi, falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për ndihmën e dhënë institucioneve të Kosovës në përmirësimin e ekonomisë së vendit.

Duke përmendur sfidat me të cilat është përballur ekonomia, sidomos në sektorin e prodhimit, zëvendëskryeministri Kelmendi foli për masat që ka ndërmarrë Qeveria në përmirësimin e kësaj gjendje, siç është krijimi i Fondit për Garantimin e Kredive si dhe punën që po bëhet në finalizimin e pakos së dytë fiskale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për fuqizimin e tërë sektorëve ekonomik në vend, sidomos sektorit prodhues. Për këtë po punohet me përkushtim dhe në koordinim të plotë me të gjithë donatorët e jashtëm, bizneset dhe asociacionet e bizneseve”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Kelmendi përmendi fokusimin e Qeverisë për të ndihmuar bizneset në ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese, përmirësimin e cilësisë së produkteve të tyre si dhe zhvillimin e prodhimtarisë bujqësore. Ai po ashtu përmendi edhe mundësinë e krijimit të një fondi të veçantë për kompensimin e fermerëve në rast të fatkeqësive, si dhe përkushtimin e veçantë që ka Qeveria për të rritur punësimin e grave dhe të rinjve.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e BERZH-it, znj. Elena Petrovska, prezantoi punën e Iniciativës për Klimën e Biznesit dhe Qeverisje ( ICGI), e cila do të veprojë si organizatë joqeveritare, dhe do të jetë e fokusuar në tranzicion dhe fushën ligjore, si dhe në dizajnimin e programeve specifike për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.

Kjo Iniciativë do të themeloj një sekretariat në Kosovë, i cili do të përbëhet nga një ekonomist dhe një avokat, dhe i cili do të ketë rol këshillëdhënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat