Panairi i punës, 5 mijë vende të lira pune në 80 kompani

Ekonomi

Panairi i punës, 5 mijë vende të lira pune në 80 kompani

Më: 29 mars 2017 Në ora: 16:30
Panairi

Është hapur panairi i punës, një mundësi punësimi për 5 mijë persona nga 80 kompani në sektore të ndryshëm. Në ditën e parë të tij, të rinjtë aplikojnë kryesisht në sektorin Call Center, ndërsa bizneset bëjnë thirrje të shohin nga afër mundësitë edhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Armela Dalipi studion në degën “Menaxhim biznesi” në Universietin e Tiranës. Pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një punë në profilin e saj, Armela ka mundur të punojë më herët për 2 vite në Call Center. 

Sot ajo është një ndër aplikantët në panairin e punës me shpresën se do të gjejë sërish një vend të lirë po në sektorin Call Center.

Dalipi: Hera e dytë apo e tretë që vi dhe vizitoj këtë panair, edhe herën e parë që jam punësuar ka qënë panairi që jam punësuar. Deri tani ne studentëve nuk është se na jepen shumë mundësi të tjera, kështu që Call Center është mundësia e vetme ku mund të punojmë.

Ministrja e Mirëqënies Sociale, Olta Xhaçka, beson se në këtë edicion të panairit të punës do të ketë një interesim të lartë për shkak se mundësitë e punësimit sipas biznesit janë 5 mijë persona.

Xhaçka: Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punës në fund të vitit 2016 është ulur me 93 mijë nga 151 mijë që ishte në fund të vitit 2015 si rezultat i mirëzbatimit të ligjit për punëkërkuesit.

Pjesëmarrëse janë 80 kompani, kryesisht të profilit të komunikimit, sistemi bankar, dhe industrisë së naftës.

Segi Alushi, shefe e sektorit të trjanimeve dhe rekrutimeve në bankën Credins fton qytetarët të aplikojnë për punë.

Alushi: Në ofrojmë 22 pozicione vakante në të gjithë territorin e Shqipërisë duke pasur parasysh që ne kemi 57 filiale, degë, në të gjithë territorin. Personat që e ndjejnë veten të aftë, studentët ekselentë, njerëzit e talentuar në fusha të nhdryshme janë të mirëpritur në bankën Credins. I mirëpresim.

Panairi i punës do të qëndrojë i hapur deri në datën 31 mars në Pallatin e Kongreseve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat