Hapet Forumi për promovimin e prodhimit dhe produkteve në trojet shqiptare

Ekonomi

Hapet Forumi për promovimin e prodhimit dhe produkteve në trojet shqiptare

Më: 1 prill 2017 Në ora: 11:20
Pamje nga video

(E plotësuar) - Me iniciativën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar dhe Odës Ekonomike Veri Perëndimore të Maqedonisë, po mbahet Forumi për Promovimin e ndërmarrësisë, prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare në Shëngjin.

Qëllimi i këtij Forumi mbarë kombëtarë sipas prodhuesve shqiptarë është për krijimin e një ekonomie të fortë në shtetet shqipfolëse.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani, duke theksuar rëndësinë e këtij Forumi tha se në kuadër të kësaj nimse me rëndësi ekonomike, qëllimi është për të ndërtuar dhe krijuar ura lidhëse ndërmjet vendeve shqiptare. Sipas tij, si Klub i Prodhuesve për zhvillimin e ndërmarrësisë përveç afarizmit, bëjnë përpjekje edhe për të avancuar pozitën e prodhuesve.

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, theksoi se ky forum është një inkurajim për ekonominë e qëndrueshme të kombit shqiptarë. Ai tha se mbetet obligim për ta që të lobojnë për një ekonomi të përbashkët për barriera në shtetet si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Naka ka kërkuar heqjen e tarifave të skanimit doganorë.

Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e cila po merr pjesë në këtë Forum është e vetëdijshme për sfidat e bizneseve dhe prodhuesve ndër shqiptare për një hiper konkurrencë, ku për këtë ajo tha se mbetet detyrë e qeverive në rajon që të krijojnë një ambient më të favorshëm duke eliminuar barrierat biznesore.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës me politikat e saja fiskale është e angazhuar për lehtësimin e të bërit biznes. Ajo pranoj se nuk ka treg unifikues ndërshqiptar, por angazhimi i ministrive përkatës të Kosovës nuk po mungon për këtë synim.

Ngip Fejza i zgjedhur si kryetar i Forumit mbar shqiptar, vlerësoi se me këto nisma prodhuesit shqiptarë po vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe duhet të jenë edhe më unik, gjithsesi me përkrahjen e mekanizmave shtetërorë.

Edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik nga Shqipëria, Milva Ekonomi tregoi për ecuritë dhe planifikimet e Qeverisë së Shqipërisë për sektorin ekonomik, që ka për synim eliminimin e barrierave biznesore.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, tha se struktura ekonomike në Shqipëri dhe Kosovës është konsumuese, jo në eksporte, por të varur nga remitencat e diasporës.

Ai tha se për të pasur një zhvillim ekonomik, qeveritë dhe shtetet përkatëse duhet të orientohen në politikat favorizuese. Po ashtu, ai tha se për të pasur një zhvillim ekonomik duhet shtetet të krijojnë rregulla të brendshme. Panxha ndër të tjera tha se duhet krijuar një Bankë për zhvillim që garanton mjete për investime dhe që garanton prodhim për tetë milionë konsumatorë shqiptarë. 

Po ashtu, edhe ministri Ekonomisë nga Maqedonia, Driton Kuqi, vlerësoi se ky bashkëpunimi ekonomik krijon siguri dhe stabilitet në rajon, për çka edhe dikasteri që drejton ai është i fokusuar.

Nebi Hoxha, drejtor i Odës Ekonomike Veri Perëndimore të Maqedonisë, tha se sa më shumë që ka bashkëpunim me biznese shqiptare, aq më shumë ka zhvillim, prodhim dhe qëndrueshmëri mbarë kombëtare.

Mërgim Prishtina nga Trepharm, tha se fillimisht duhet krijohet unifikimi i tregut mbarë shqiptarë, pastaj duhet të krijohet edhe unifikimi i tregut ballkanik.

Në këtë Forum kanë filluar diskutimet e hapura për propozime nga ndërmarrësit, të cilët po marrin pjesë prodhues nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Vlerësohet se shqipfolësit janë tetë milionë konsumatorë.

Forumi për promovimin e produkteve të trojeve shqiptare (Drejtpërdrejt)

Në Shëngjin janë mbledhur përfaqësues të qeverive nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe biznesmenë nga këto tri shtete për Forumin "Promovimi i ndërmarrësisë, prodhimit dhe produkteve të trojeve shqiptare".

Delegacionet e mbledhura nga trojet shqiptare, filluan Forumin, ku në hapje fjalime përshëndetëse do të mbajnë Nikolin Jaka, drejtor ekzekutiv i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Astrit Shabani kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, si dhe Nebi Hoxha drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Veri Perendimore të Maqedonisë.

Po ashtu pjesë e panelit janë edhe ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri shqiptar i Ekonomisë Driton Kuqi si dhe ministrja shqiptare e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë, Milva Ekonomi.

Në Forum po ashtu do të bëhet edhe prezantimi i platformës të re prodhuese për Shqipëri dhe Kosovë. Gjithashtu do të ketë edhe diskutime të hapura për propozime nga ndërmarrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat