Ministria e Financave publikon online shpenzimet e buxhetit

Ekonomi

Ministria e Financave publikon online shpenzimet e buxhetit

Më: 3 prill 2017 Në ora: 08:38
Ministri i Financave Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka prezantuar transparencën fiskale, e cila që nga sot jep mundësinë e qasjes online të informatave të detajuara mbi pranimin dhe pagesat fiskale të Qeverisë.

Tani në web faqen e Ministrisë së Financave janë publike të dhënat prej vitit 2006 deri në vitin 2016.

Hoti tha se synim kryesor i Ministrisë që ai drejton është rritja e transparencës dhe llogaridhënies.

Hoti: MF ka synim transparencën

“Synim kryesor i Ministrisë së Financave  përveç punëve të përditshme është rritja e transparencës dhe llogaridhënies në shpenzime dhe të hyrave në publikim. ...Nga sot në web faqen e MF-së  kemi krijuar një seksion të ri të quajtur ‘Transparenca Fiskale’. Edhe për nga emri tregon se çka është ku ofrohen informata në detaje për pagesat edhe për të hyrat e Qeverisë së Kosovës. Përmes kësaj ne dëshirojmë që mediat, qytetarët , bizneset, publiku i gjerë, gjithë ata ta kenë shumë më të lehtë që të monitorojnë drejtpërdrejt të hyrat edhe të dalat e buxhetit të shtetit. Të dhënat janë për një kontest bukur të gjatë kohor. Për vitin 2006-2016-të , pra për 11 vite është dhe janë në baza mujore. Do  të jenë në dispozicion nga dita e sotme “, tha Hoti.

Hoti po ashtu ka thënë se prej janarit të këtij viti bëhet planifikimi i buxhetit 5 shifror.

Hoti: Prej fillimit të këtij viti 2017-të me planifikim 5-shifrorë          

“Prej janarit 2017-të e këndej planifikimi i buxhetit është 5 shifror. Ta zëmë , brenda investimeve kapitale merrni shpenzimet për arsim . Në bazë kësaj ne e dimë sa është shpenzuar brenda arsimit sa janë shpenzuar për ndërtim të shkollave, sa për mirëmbajtje të shkollave ose në rrugë. Sa janë bërë investime për rrugë të reja sa për ndriçim të rrugëve ose për rikostruim të rrugëve, e tjera e tjera. Në mallra dhe shërbimet e dimë sa janë për furnizim inventarë sa janë për udhëtime zyrtare ose sa janë për mëditje pra nën kategori të ndryshme. Brenda këtyre 5 kategorive kryesore që janë, mallrat, pagat , subvencionet dhe shpenzimet të tjera “, tha Hoti.

Qëllimi i publikimit të të dhënave në webfaqe , sipas Hotit, është që kjo të bëhet interaktive në kuptimin që të kenë mundësi të gjithë të dhënat mujore. 

Në këtë konferencë ministri Hoti, tha se shqetësimet e kompanive që shesin arka fiskale janë të panevojshme dhe për këtë ka spekulime.

 Ai i ka lutur kompanitë që furnizojnë me arka fiskale që të marrinë informata të sakta nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), dhe t’i lënë spekulimet.

Ministri Hoti publikon të dhënat mujore fiskale

Ministri i Financave Avdullah Hoti, mban konferencë për media ku do të prezantoj për herë të parë publikimin e të dhënave mujore fiskale për një periudhë 11 vjeçare.

Publikimi i këtyre të dhënave paraqet një hap të rëndësishëm në ngritjen e transparencës fiskale, duke i ofruar të gjithë hisedarëve llogaridhënie më të mirë në menaxhimin e financave publike.

Konferenca për media do të mbahet në Ministrinë e Financave në ndërtesen e  Qeverisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat