Pakoja fiskale 2.0 shtyhet për shtator

Ekonomi

Pakoja fiskale 2.0 shtyhet për shtator

Më: 3 prill 2017 Në ora: 17:49
Prezantimi i Transparencës Fiskale Online

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se shtyrja e afatit të hyrjes në fuqi të Pakos Fiskale 2.0 po bëhet për shkak të hapave të shumtë që kërkohen të ndërmerren.

Pakoja e shumëpërfolur fiskale nuk do të jetësohet para muajit shtator. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ky prolongim i hyrjes në fuqi i Pakos Fiskale 2.0 po bëhet për shkak të hapave të shumtë që kërkohen të ndërmerren.

“Janë 21 masa të ndryshme, janë 4 apo 5 masa që kërkojnë ndryshime të ligjeve që normalisht merr edhe 3 muaj kohë së paku për të kryer procedurat në Qeveri e Kuvend, 4-5 masa të tjera kërkojnë ndryshim të udhëzimeve administrative të cilat bëhen ose në ministri përkatëse ose në Qeveri”, shtoi Hoti.

Ministri i Financave la të kuptohet se ende nuk janë pajtuar në plotëni me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndryshimet që pritet të bëhen me Pakon Fiskale 2.0.

“Në masë të madhe kryesisht pajtohemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar sepse janë të balancuara, janë të argumentuar nga analistët e Ministrisë së Financave për efektet multiplikuese që mund të krijojnë”, tha ai.

Këto të dhëna u bënë të ditura me rastin e prezantimit të Transparencës Fiskale Online, e cila publikut i ofron qasje në të dhëna dhe informacione.

Me Pakon Fiskale 2.0 është paraparë zgjerimi i listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, heqja e akcizës për mazut, ndryshimi dhe plotësimi i listës së produkteve të cilave u hiqet ose u reduktohet në 8 për qind TVSH-ja.

Kjo pako aplikon pushimin tatimor, nxjerr akte legjislative për vendosjen e banderolave në paketimet e miellit dhe për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj dhe krijon kode të reja doganore për disa produkte duke u bazuar në praktikat e BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat