Euro dobësohet kundrejt dollarit

Ekonomi

Euro dobësohet kundrejt dollarit

Më: 3 prill 2017 Në ora: 23:34
Ilustrim

Euro të hënën u dobësua kundrejt dollarit në tregjet e valutave ndërkombëtare, pasi që shqetësimet në lidhje me rrezikun politik në Evropë kanë vënë në plan të dytë indikatorët e ekonomisë së mirë.

Euroja pasdite rrëshqiti në nivelin më të ulët kundrejt dollarit në tre javë, në 1.0650 dollarë.

Gjatë mëngjesit, monedha e përbashkët evropiane tërhoqi mbështetjen nga raportet e firmës londineze Markit, e cila tregoi se sektori i prodhimit të eurozonës në mars, mezi ka mbajtur ritmin për kërkesa të forta, duke sinjalizuar rritjet e mundshme të çmimeve të mëtejshme në eurozonë.

Pasdite, tregtarët janë përqendruar edhe njëherë në rreziqet politike në Evropë, veçanërisht në zgjedhjet presidenciale në Francë, duke u përpjekur për të vlerësuar shanset e kandidates të së djathtës radikale dhe kritikes së Bashkimit Evropian, Marine Le Pen.

Sondazhet tregojnë se Le Pen mund të marrë më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve në fund të prillit, por në raundin e dytë ajo pritet të pësojë humbje.

“Investitorët janë ende të vetëdijshëm se rreziqet lidhur me zgjedhjet franceze edhe më tej janë të mëdha, por për momentin nuk ka asnjë mundësi reale për të spekuluar me forcimin e euros”, tha Valentin Marinov nga zyra në Londër e Credit Agricole.

Në një mjedis të tillë,  indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e tij kundrejt valutave të tjera të rëndësishme të botës, u rrit 0.1 për qind në 100.64 pikë.

Ndryshe, tregjet do të monitorojnë nga afër këtë javë indikatorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti të dhënat mbi punësimin, për të vlerësuar nëse Banka qendrore amerikane në qershor, për herë të dytë këtë vit, do të rrisë normat bazë të interesit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat