Kryeministri Mustafa: Bizneset e vogla dhe të mesme perspektiva zhvillimore e Kosovës

Ekonomi

Kryeministri Mustafa: Bizneset e vogla dhe të mesme perspektiva zhvillimore e Kosovës

Më: 6 prill 2017 Në ora: 16:56
Isa Mustafa viziton bizneset

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Kompaninë “Eurofruti”, në Suteskë të Mramorit, e cila merret me grumbullimin e frutave.

Pas vizitës së ambienteve dhe pajisjeve të punës, kryeministri Isa Mustafa theksoi se bizneset e vogla dhe të mesme janë perspektiva zhvillimore e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë.

“Ne po kontaktojmë me biznese në mënyrë që të shohim se ku qëndrojmë me organizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, çfarë duhet të ndërmarrim si Qeveri, dhe ajo që po konstatojmë është se perspektiva jonë zhvillimore është tek këto biznese, tek bizneset e vogla dhe të mesme, dhe shfrytëzimin e plotë të resurseve natyrore dhe të resurseve njerëzore të cilat i kemi”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa vlerësoi këto biznese, meqë të bërit biznes është shkathtësi dhe këta njerëz rrezikojnë për të hapur vende të reja të punës dhe ndihmojnë edhe të tjerët.

“Ne u informuam se janë së paku 3 mijë vetë që janë të lidhur me mbledhjen e frutave dhe që sigurojnë të ardhura nga mbledhja e frutave, dhe të gjitha këto eksportohen jashtë. Kjo meriton një përkrahje të plotë të Qeverisë, edhe në ndërtimin e politikave tona, por edhe në lehtësimin e të bërit biznes”, tha kryeministri.

Image

Kryeministri Mustafa u zotua në heqjen e të gjitha barrierave burokratike që pengojnë bizneset, duke nisur nga ankesa që dëgjoi sot, për certifikatat fitosanitare.

“U informuam, po ashtu, se sa i përket doganave dhe procedurave doganore, ato janë të përkryera dhe nuk ka asnjë vërejte të bizneseve sa i përket kësaj. Ka vërejtje tek certifikatat fitosanitare, për të cilat ne do të ndërmarrim masa, sepse nuk i lejohet askujt që të vejë kushte që s’punoj pas dreke, të punoj vetëm për një orë të caktuar para dreke, dhe të dëmtoj bizneset me sjellje burokratike. Do të luftojmë që të gjitha sjelljet burokratike të cilat pengojnë të bërit biznes, pengojnë hapjen e vendeve të punës, t’i mënjanojmë edhe ata që s’dëshirojnë të punojnë, duhet të japin përgjegjësi për këtë. Për ne, hapja e një vendi të ri të punës është me rëndësi themelore, dhe këto vende po hapen këtu, nga këto fshatra, nga njerëzit tanë. Ka mundësi të punës, ka mundësi të zhvillimit ekonomik, ka mundësi të eksportit, vetëm që lypset që të bashkëpunojmë dhe t’i koordinojmë politikat tona bashkë”, tha kryeministri Mustafa.

Image

Bejtush Gashi, pronar i Kompanisë “Eurofruti”, falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën në kompani për t’u njohur me problemet dhe punën që bëhet.

“I treguam për problemet me të cilat jemi duke u ballafaquar me eksportin e frutave. Njëkohësisht jemi duke bërë një punë të mirë në grumbullimin e frutave, jemi duke bërë eksport i cili po ndihmon fermerët dhe Kosovën”, tha pronari i kësaj kompanie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat