Kosova shënon bilanc tregtar pozitiv, vjet eksportoi 1 miliard euro shërbime

Ekonomi

Kosova shënon bilanc tregtar pozitiv, vjet eksportoi 1 miliard euro shërbime

Më: 18 prill 2017 Në ora: 15:32
Ilustrim

Kosova ka shënuar bilanc pozitiv tregtar sipas “Raportit për Tregtinë në Shërbime - Bilanci Tregtar 2016,” që është hartuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Nga këto të dhëna rezulton se tregtia në shërbime në Kosovë për vitin 2016 ka arritur në total prej 1,498 miliardë euro, ndërsa eksporti i shërbimeve ishte 1,038 miliardë euro, ndërsa importi arriti shumën prej 460 milionë eurove, gjë e cila tregon se vendi ynë ka shënuar një bilanc tregtar pozitiv prej 579 milionë eurove.

Në vitin 2015, eksporti i përgjithshëm në tregtimin ndërkombëtar të shërbimeve ishte 887 milionë euro, përderisa importi ishte 467 milionë euro, ndërsa viti 2016 shënoi një trend pozitiv të rritjes së eksportit të shërbimeve me 151 milionë euro më shumë të hyra (ose 17%) se sa në vitin 2015.

Sektorët kryesorë të cilët kontribuon në këtë bilanc pozitiv për periudhën (janar – dhjetor 2016) janë udhëtimet (turizmi) me eksport në vlerë prej 809 milionë euro, e ndjekur nga biznesi dhe shërbime profesionale me 63 milionë euro, shërbimet e komunikimit (ICT) me 48.5 milionë euro, shërbimet e ndërtimit me 13 milionë euro dhe shërbimet qeveritare me 35.5 milionë euro.

Shërbimet e udhëtimit dhe turizmit kryesisht i atribuohen diasporës së Kosovës dhe shtetasve të huaj që punojnë në Kosovë. Bilanc negativ në tregtinë me shërbime ka sektori i transportit me -90 milionë euro për vitin 2016.

Në vitin 2016 ka rritje të eksportit për fushën e udhëtimit dhe turizmit me një vlerë prej 89 milionë euro. Po ashtu, ka rritje të eksportit për sektorët e biznesit dhe shërbimeve profesionale me 8 milionë euro dhe të sektori i ICT-së me 4.5 milionë euro.

Me hyrjen në fuqi të MSA-së është parashikuar se këta dy sektorë do t’i rrisin eksportet e tyre në vendet e BE-së, por një indikator që po ndikon negativisht në qasjen drejt tregut të BE-së është mungesa e liberalizmit të vizave për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat