Shqipëria dhe Turqia angazhohen për thellimin e bashkëpunimin tregtar

Ekonomi

Shqipëria dhe Turqia angazhohen për thellimin e bashkëpunimin tregtar

Më: 19 prill 2017 Në ora: 13:29
Ilustrim

Shqipëria dhe Turqia vijojnë bashkëpunimin për të rritur shkëmbimet reciproke tregtare.

Në Tiranë zhvilloi punimet forumi i biznesit i kompanive turke të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe sektorit të pajisjeve mjekësore organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhomën Turke të Tregtisë në Izmir dhe Ministrinë Turke të Ekonomisë.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Arben Shkodra theksoi se takimi i shërben afrimit të sipërmarrjeve me njëra-tjetrën dhe vendosjen e urave direkte të bashkëpunimit.

“Turqia është një partner strategjik për Shqipërinë. Dy vendet tona po kalojnë në një fazë shumë të rëndësishme. Dhomat tona të tregtisë kanë marrëdhënie të mira. Dhoma e Tiranës ka marrëveshje të nënshkruara me disa dhoma turke të tregtisë. Por ne duam t’i konkretizojmë ato. Ne do të bëjmë përpjekjen tonë maksimale për t’i hedhur këto marrëveshje në aktivitete dhe bashkëpunime fizike”, u shpreh nëndrejtori i DHTI-së, Shkodra.

Ndërsa atasheu i Turqisë në Tiranë për Tregtinë, Halis Kaya vuri theksin tek rëndësia e organizimit të këtij forumi, duke thënë se këto lloj takimesh janë shumë të nevojshme për rritjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Izmirit, Emre Ilalan shprehu bindjen se kompanitë nga të dy vendet do të mund të ndërtojnë marrëdhënie të frytshme biznesi.

“Të pranishëm janë përfaqësues të kompanive në dy fusha lider sot, si ajo e teknologjisë së informacionit dhe pajisjeve mjekësore. Unë besoj se ky takim do të jetë një fillim për marrëdhëniet tona të ardhshme’’, tha ai.

Në forumin e përbashkët mes Dhomës së Tregtisë së Izmirit dhe asaj të Tiranës marrin pjesë kompani nga Turqia dhe Shqipëria, të cilat operojnë në sektorin e IT-së dhe në fushën e pajisjeve të mjekësisë.

Turqia është një ndër partnerët kryesor tregtar. Shkëmbimet tregtare gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti llogariten 11.155 milionë lekë. Importet llogariten 10.889 milionë lekë, ndërsa eksportet 266 milionë lekë. Në vlerën e lartë të importeve ndikimin më të madh e ka dhënë grupi tekstileve dhe këpucë 3.459 milionë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat