Qumështarët kërkojnë lehtësira fiskale, ankohen për keqpërdorim të granteve

Ekonomi

Qumështarët kërkojnë lehtësira fiskale, ankohen për keqpërdorim të granteve

Më: 20 prill 2017 Në ora: 17:43
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli gjatë takimit me qumështarët

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli bashkëbisedoi të enjten me ekspertë të bujqësisë dhe përpunues të qumështit ku nikoqir ishte “Abi Center” në Prizren. Qumështarët përveç se kërkuan mbështetje më të madhe institucionale për industrinë e tyre përpunuese treguan, sepse grantet dhe subvencionet po keqpërdoren dhe po dëmtohen bizneset e ndershme.

Në turin e tij kryekuvendari Veseli dëgjoi brengat dhe sfidat, të cilat i kanë fermerët e industrisë së qumështit.

Ai foli edhe për periudhat e mëparshme duke treguar se duke i pasur parasysh statistikat të cilat janë aktualisht, del se në vitin 1989 Kosova i ka pasur 400 mijë krerë gjedhe, ndërsa aktualisht janë 260 mijë.

Sipas tij, sektori i bujqësisë ka shumë rëndësi, është një prej sektorëve më të veçantë përmes së cilës edhe kthimi në investim është më i shpejtë.

Veseli: Koha është për t’u orientuar nga prodhimi dhe nga industrializim i vendit

“Zyrtarisht në vitin 1989 kanë qenë 400 mijë krerë gjedhe në Kosovë, sot i kemi aktualisht 260 mijë, do të thotë pas 28 viteve nuk jemi në të njëjtin nivel për 140 mijë ose rreth 35 për qind. Po flasim si kuantitet pastaj flasim për kualitetin. Sektori i bujqësisë ka shumë rëndësi, një prej sektorëve më të e veçantë përmes së cilës edhe kthimi në investim është më i shpejtë duke pasur parasysh se 60 për qind e popullatës e Kosovës jetojnë në pjesën rurale dhe duke pasur parasysh se e kemi pasur një traditë a mund të intensifikohet dhe a mund të ndryshohet kjo traditë? Sepse kemi pasur një traditë të mirë dhe a mundet me u zhvilluar ne duhet t’i tejkalojmë situatën e vitit 1989, sepse jemi në vitin 2017. Si mund të arrihet kjo, cilat janë vështirësitë? Kjo është ajo që kam dëshiruar të bashkëbisedoj me ju si sektor specifik. Njerëzit po janë të përkushtuar, por si mund t’iu ndihmojmë në mënyrë institucionale më shumë këtyre njerëzve.  Koha në Kosovë është për t’u orientuar nga prodhimi dhe nga industrializim i vendit. Nuk është koha për fjalë të thata”, theksoi Veseli.

Ai ka treguar se Kosova ka një numër të madh të papunësisë, dhe sipas tij, bujqësia është një prej gjeneruesve të punësimit. Veseli foli edhe bilancin tregtar që Kosova ka rreth 90 për qind të importit dhe se duhet të rriten edhe më tej investimet në këtë sektor.     

Veseli: Investimet në bujqësi janë vendi më hallall

“Një problem e ka Kosova aktualisht, s’e ka Serbinë. Armiku numër një që e ka vendi ynë është papunësia. Kjo për arsye se ka mungesë të prodhimit. Bilanci ynë tregtarë është se 90 për qind ne importojmë edhe ato para, të cilat i fitojmë me djersë këtu ose që vijnë nga remitencat shumica kalojnë në konsum social. Kjo është një arsye më shumë dhe është koha kur vërtet duhet për një fillim të ri. E fillimi më i ri mundet me qenë te rinia në sektorin e bujqësisë. Bujqësia është sektori i cili mundet me pasur zhvillim të jashtëzakonshëm. Ne do t’i vazhdojmë investimet në bujqësi, për arsye se është vendi për investim më hallall në gjuhen popullore”, theksoi ai.   

Për brengat dhe sfidat që i ka ky sektorë folën ekspertët dhe përfaqësuesit e industrive vendore të qumështit.

Përfaqësuesi i Shoqatës së përpunuesve të qumështit, Gani Durmishi tha se për ta çuar këtë industri përpara është në të mirën e vendit dhe zhvillimit ekonomi, pasi  industria e qumështit të Kosovës i ka 41 qumështore të licencuara me 1550 punëtorë dhe diku mbi 25 mijë fermerë.

Durmishi: Industria e qumështit ka rëndësi të fuqishme për zhvillimin ekonomik

“Kjo industri është një potencial jashtëzakonisht i fortë dhe i fuqishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Dhe kapacitetet instaluese në këtë industri janë mbi 560 mijë litra që mund t’i përpunojë brenda një dite. Vetë fakti po tregon që është një industri e zhvilluar në Kosovë me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë. Industria ka edhe sfidat e saj, të cilat i kemi potencuar disa herë edhe me shkrim nëpër institucione tona relevante, andaj, kishte me qenë shumë me rëndësi se sa më shumë që ta çojmë këtë industri përpara është në të mirën e vendit dhe mendoj që me një përkrahje institucionale ne kemi kapacitete që mundemi me rrit punësimin, ndoshta me dyfishuar për një kohë shumë të shkurtër”, theksoi Durmishi.

Alajdin Fusha, drejtor i kompanisë “Abi”, veprimtaria e të cilës funksionon që nga viti 1996, tha se problemi është se çmimi është më i lartë se në rajon. Ai pati dy propozime, njëri që edhe qumështi i pasterizuar të subvencionohet si dhe të hiqet TVSh-ja për qumështin e freskët.

Fusha: Të subvencionohet edhe qumështi i freskët i pasterizuar

“Unë mendoj se të kemi më shumë shitje dhe të konsumojmë më shumë qumësht, është i vetmi qumësht i freskët i pasterizuar, por kemi një problem sepse çmimi final i qumështit është pak më i shtrenjtë se sa në rajon. Propozimi edhe me kolegët që e kemi diskutuar disa herë është qysh mund të bëhet qumështi më i lirë është sikurse qumështi i pa përpunuar që subvencionohet të subvencionet edhe qumështi i freskët i pasterizuar që del nga industria e qumështit”, tha Fusha. 

Ndërsa, Islam Islami pronar i qumështores “Alpina” në Keqekollë të Prishtinës, tha se në Kosovë prodhohet qumësht rreth 40 për qind kurse pjesa tjetër importohet. E megjithatë, edhe pse nuk prodhohet aq sa nevojitet, sipas tij, as kjo sasi e prodhuar nuk po shitet.

Islami: Kemi probleme të shumta si përpunues të qumështit

“Ne edhe s’po dimi kah me ia filluar, sepse kemi probleme të shumta, ne gjithmonë po flasim, mirëpo rezultate po ka pak. Kemi pasur takime me të gjitha institucionet. Mirëpo, ne folëm tash për prodhim ne diku 40 për qind prodhojmë për plotësimin e nevojave të vendit, kurse 60 për qind importohet. Ne kemi probleme me këtë 40 përqindëshin, kemi problem me shitje. Ne kemi probleme prej thuajse prej fermerit, në përpunim kemi problem me rrymë, me teknikë si dhe probleme të ndryshme. Por, çka është problemi tjetër është edhe te shitja dhe për këtë arsye nuk po mundemi me i rritë kapacitetet”, theksoi Islami.

Ymer Berisha nga qumështorja "Bylmeti" përmendi edhe faktin se edhe grantet që i marrin nuk janë dhe aq përfituese, ngase po janë të obliguar t’i japin shtetit me miliona euro tatime për çdo muaj.

Ai theksoi se mbase Qeveria nuk po ka mundësi për t’i monitoruar subvencionet te fermerët, sepse po dyshohet se ka keqpërdorime, dhe përfituesit po ndërtojnë shtëpi dhe po blejnë vetura luksoze duke i dëmtuar bizneset e ndershme, andaj kërkoi të ndalen të gjitha ato subvencione dhe grante.  

Berisha: Grantet po keqpërdoren

“Besoj se mbështetja më madhe kishte me qenë vetëm nëpërmes politikave fiskale, hiqe doganën për pajisje, hiqe doganën për repro-material dhe hiqe doganën për shumë gjëra dhe ato para që i keni dhënë si grant që 80 për qind iu kanë dështuar, sepse jam i prirë me fol vetëm të vërtetën. Me këto mjete kanë ble kerre, kanë ndërtuar shtëpi. Pra, s’po monitorohen mirë, po merren grantet, s’po menaxhohen mirë dhe po i bëjnë keq bizneseve të sinqerta”, theksoi Berisha.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi se ka shumë gjëra të mira në sektorin e qumështit, por ka ende shumë probleme dhe sfida. 

Krasniqi: Ka ende shumë probleme në sektorin e qumështit

“Është evidente që mund të flasim për shumë gjëra të mira, por ka ende shumë probleme dhe shumë sfida për të cilat kemi diskutuar dhe diskutojmë në vazhdimësi që të ndërlidhen në përgjithësi edhe me institucionet, por që ndërlidhen edhe me ambientin tregtarë që ndërlidhen edhe me modelin ekonomik të funksionimit”, theksoi Krasniqi.

Edhe prodhues dhe përpunues të tjerë të qumështit në Kosovë kërkuan lehtësira fiskale inistitucionale për veprimtarinë e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat