Gjendje më e mirë për biznes në Kosovë

Ekonomi

Gjendje më e mirë për biznes në Kosovë

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 14:38
Pamje nga prezantimi i rezultateve nga Oda Ekonomike e Kosovës

Gjendje e të bërit biznes në Kosovë në këtë tre mujorin është më e mirë se sa ajo e tremujorit paraprak, megjithatë, ngërçi politik po ndikon në zbehjen e proceseve ekonomike.

Kështu u tha gjatë prezantimit të rezultateve nga Oda Ekonomike e Kosovës për të gjeturat për “Indikatorët e Klimës së Biznesit “, të dala nga anketa e realizuar me bizneset në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se gjendja në këtë tre mujor paraqitet dukshëm më mirë te biznesit krahasuar edhe vitin paraprak.

Gërxhaliu: Gjendja më e mirë për biznes në Kosovë

“Gjendja aktuale në tre mujorin paraprak është se 86% e kompanive  të anketuara të të gjithë sektorëve deklaruan për një gjendje më të mirë të biznesit në këtë periudhë, krahasuar me tre mujorin paraprak. Gjendja në këtë tre mujor paraqitet dukshëm më e mirë dhe krahasuar edhe periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërsa në tre mujorin e dytë të vitit 2016 30% e bizneseve kishin deklaruar gjendje të mirë të biznesit. Në këtë tre mujor kemi 45% ose një rritje për 15 % e bizneseve të anketuara dhe definitivisht ky tre mujor paraqet gjendjen aktuale më të mirë në të gjithë tremujorët që nga viti 2013”, tha ai.

Më tej Gërxhaliu tha se pritjet për punësim në këtë tre mujor ka rënie prej 9%, mirëpo sektori i ndërtimtarisë dhe ai i prodhimit janë parë si sektor të cilët në këtë periudhë kanë ofruar vende pune.

Gërxhaliu: Sektori i ndërtimtarisë dhe ai i prodhimit kanë pritje për punësim

“Pritjet për punësim janë pozitive megjithatë krahasuar me tre mujorin paraprak kemi një rënie prej 9%.Bizneset tonat presin dhe planifikojnë të kalojnë këtë periudhë sezonale  me  aktual të punëtorëve ajo çka na bënë krenar është fakti se sektori i ndërtimit në këtë tre mujor ka pritjet më të larta për punësim jo bazuar në faktin se në tre mujorin e dytë po mbahen aktivitetet të mëdha biznesore në këtë sektor. Pritje për rritje të punësimit ka edhe sektori i prodhimit me një përqindje pak sa më të ulët, ndërsa sektorët tjerë kanë pritje akoma më të ulëta”, shtoi  ai.

Gërxhaliu po ashtu shtoi se ngërçi politik po ndikon në zbehjen e proceseve ekonomike të cilat janë të rëndësishme dhe të pa kontestueshme për të ardhmen e Kosovës, dhe se vetëm përmes zhvillimit ekonomik ka stabilitet ekonomik dhe mund të përmirësohet imazhi i vendit.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe ministrja në detyrë e Tregtisë, Hykmete Bajrami, e cili tha se i gëzohet këtij rezultati dhe se uron të formohen shumë shpejt institucionet në vend.

Bajrami: Uroj të formohen institucionet

 “Sinqerisht uroj që shumë shpejtë të formohen institucionet dhe në kry të institucioneve me të vërtet të vijnë njerëz të cilët i dinë vlerën sektorit privat.....rëndësia e sektorit privat është tepër e madhe për shkak se rritja dhe zhvillimi i sektorit privat nënkupton përparim për shoqërinë kosovare dhe për zhvillimin e shtetit në tërësi”, tha ajo.

Bajrami tha se mungesa e kualifikimit të fuqisë punëtore  është problem që e përcjell secilin vend dhe se për ta zgjedhur atë telashe, sektori privat duhet t’i pranojë studentët që të realizojnë praktikën në bizneset e tyre dhe se kjo do të ishte benificion edhe për sektorin privat.

Në studimin e OEK-ut kanë qenë të përfshira gjithsej 474 biznese në sektor të ndryshe siç është ai i tregtisë me shumicë dhe pakicë, prodhimit, ndërtimtarisë dhe shërbime tjera si transporti, hoteleri e të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat