“Skemat e veteranëve kanë dalë jashtë kontrollit, të ndryshohet projektbuxheti”

Ekonomi

“Skemat e veteranëve kanë dalë jashtë kontrollit, të ndryshohet projektbuxheti”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 dhjetor 2017 Në ora: 15:19
Ilustrim

Debati për projektbuxhetin e vitit 2018 ka vazhduar sot, pas ndërprerjes së djeshme për shkak të mungesës së  kuorumit.

Gjatë paradites në seancë nuk ishin shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar e as kryeministri Ramush Haradinaj, përveç ministrit të Financave Bedri Hamza.

Vazhdimi i seancës ka filluar përsëri me pakënaqësit e opozitës për buxhetin e paraparë, duke e cilësuar të mangët dhe jo professional.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, e ka konsideruar të ndërlikuar materialin e buxhetit, gjersa ka shtuar se rritja prej 104 milionë eurove për qytetarin është e vogël.

Ndërsa, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, e ka konsideruar absurde që në buxhetin e vitit 2018 të ndahen 100 milionë euro për veteranët, ndërkaq për FSK-në vetëm 56 milionë euro.

Duke komentuar këtë shumë për veteranët, eksperti i ekonomisë thotë se me faktin që disa veteranë nuk e meritojnë, atëherë kjo është e dëmshme për buxhetin dhe për veteranët e vërtetë.

Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë ka thënë për “Bota sot” se pakoja sociale dhe transferët sociale në përgjithësi janë barrë e rëndë për një ekonomi si e Kosovës.

Sipas Mustafës, faktet se transferët për veteranët ndahen më shumë se sa për një ushtri e një sistem mbrojtës në përgatitje, përmban një kuriozitet në vete.

Image
Muhamet Mustafa

“Nuk kam analizuar hollësisht këtë buxhet. Por, ky shpërpjestim që ju e theksoni në pyetjen tuaj, tregon se skemat e veteranëve kanë dalë jashtë kontrollit dhe se në ato regjistra edhe vetë veteranët po thonë se ka shumë që nuk e meritojnë. Natyrisht që kjo dëmton buxhetin dhe dëmton luftëtarët e vërtetë pasi që sigurisht do të ndikojë në lartësinë e pensioneve për veteranë. Në përgjithësi pakoja sociale dhe transferet sociale janë një barrë tepër e rëndë për një ekonomi si kjo e Kosovës dhe pa rikonsiderimin e saj dhe ristrukturimin e saj vështirë që do të gjendet hapësirë e domosdoshme për të modernizuar arsimin dhe shëndetësinë e që janë padyshim defekte më të mëdha, jo vetëm të këtij buxheti, por edhe në kontinuitet. Fakti se transferet për veteranët ndahen më shumë se sa për një ushtri dhe sistem mbrojtës në përgatitje e ndërtim vërtet përmban një kuriozitet në vete, por siç thashë nuk e kam analizuar në detaje buxhetin e sivjemë”, ka thënë Mustafa.

I pyetur rreth mungesës së kabinetit qeveritar gjatë debatit, përveç Ministrit të Financave, Bedri Hamza, Mustafa e konsideron problem në kontinuitet.

Mustafa ka shtuar se pret që gjatë leximit të dytë të projektbuxhetit të bëhen ndryshime të caktuara.

“Pjesëmarrja ose mospjesëmarrja e kabinetit qeveritar gjatë debatit, është një problem në kontinuitet.  Shpesh herë  Qeveria mendon se është mbi Kuvendin dhe kjo është pjesë e dhembjeve tona në shtetndërtim dhe vonesave në pjekurinë tonë institucionale.  Presim që gjatë leximit të dytë të bëhen ndryshime të caktuara. Do të ishte e dobishme”, ka përfunduar Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat