Mbështetje për gratë e Krushës

Ekonomi

Mbështetje për gratë e Krushës

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 13:51
Ky aktivitet promovues u organizua nga Qendra për Art dhe Komunitet “Artpolis”

Ushqimi i gatuar nga gratë e Krushës u ofrua sot në Prishtinë, në kuadër të iniciativës solidarizuese për t’i mbështetur gratë sipërmarrëse nga Krusha.

Ky aktivitet promovues u organizua nga Qendra për Art dhe Komunitet “Artpolis”, në kuadër të gjashtëmbëdhjetë ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Ushqimi tradicional i gatuar nga këto gra u servua në njërin nga lokalet në Prishtinë, derisa paratë e grumbulluara nga shitjet e ushqimit do të jenë kontribut për bizneset e vogla të grave të Krushës.

Për këtë kontribut, foli më saktë koordinatorja e organizatës “Artpolis”, Jeta Berisha.

Berisha: Gratë e Krushës po ndihmojnë komunitetin

“Fillimisht jemi munduar të gjejmë një lloj komunikimi me gratë e Krushës,  duke e ditur situatën në Krushë dhe duke e ditur se sa shumë janë përfshirë këto gra në iniciativat për përgatitjen  e ushqimeve të ndryshme dhe shitjen e tyre në komunitet, ato përveç që ndihmojnë familjet e tyre,  i ndihmojnë edhe  komunitetit”, ka thënë ajo.

Në fund koordinatorja ndau mjete te gastronomisë si donacion për gratë e Krushës, dhe i inkurajoi ato për punën e tyre.

Përndryshe, organizimi ka vazhduar në Prizren, ku është shfaqur performanca artistike e cila flet për ngacmimet seksuale, si dhe paneli i diskutimit “(PA)Punësimi i grave të reja dhe dhuna në punë”.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat