Haradinaj: Mos funksionalizimi i linjës 400 kilovatësh me Shqipërinë, mbetet sfidë

Ekonomi

Haradinaj: Mos funksionalizimi i linjës 400 kilovatësh me Shqipërinë, mbetet sfidë

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 16:22
Takimi i 15-të i Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hapur takimin e 15-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, në të cilin shprehu përkushtimin e qeverisë në hartimin e politikave për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike.

Me këtë rast, kryeministri tha se janë të angazhuar maksimalisht në përafrim të legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian  dhe për zbatimin në praktikë, duke kërkuar për këtë edhe mbështetjen e Komisionit Evropian.

Haradinaj në këtë takim njoftoi po ashtu  edhe për arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin tha se vlera e këtij investimi është 1 miliard e 300 milionë euro, dhe me këtë do të sigurohet një situatë e qëndrueshme energjetike.

Haradinaj: Sfidë mbetet mos funksionalizimi i linjës 400 kilovatësh me  Shqipërinë

“Sfidave aktuale me të cilat ballafaqohet Kosova, duke qenë e kufizuar në menaxhimin  e rrjedhave të energjisë në tregun rajonal dhe mos funksionalizimit të linjës 400 kilovat Kosovë- Shqipëri, duhet t’i gjejmë zgjidhje, me kontributin e të gjithë neve së bashku, dhe besoj se për këtë do ta marrim përkrahjen e të gjithëve. Përafrimi i direktivave të BE-së me legjislacionin e palëve kontraktuese është një hap i domosdoshëm. Implementimi në praktikë kërkon angazhim shumë herë më të madh. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe jemi te angazhuar maksimalisht, megjithatë edhe më tutje ne kërkojmë mbështetjen tuaj, me theks të veçantë mbështetjen e Komisionit Evropian”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se suksesi i formimit të tregut të energjisë është parakusht dhe garanci për integrimin edhe të tregjeve tjera në kuadër të Procesit të Berlinit.

Haradinaj: Kemi lajm të mirë

“Dëshiroj ta përmbyll me një lajm që tashmë e dini të gjithë. Kosova ka arritur marrëveshje me një investitor serioz privat për investime në energji, për një termocentral të ri që është 500 Megavat dhe i cili kap vlerën e investimeve 1 miliard e 300 milionë euro dhe që fillon me zbatim nga viti që vjen. Me këtë ne besojmë se do të krijojmë situatë të qëndrueshme energjetike në Kosovë, njëkohësisht avancim në energji të pastër për shkak se teknologjia me të cilën ne prodhojmë energji tani është teknologji e hershme dhe jo miqësore ndaj ambientit”, tha ai.

Christofer Jones, përfaqësues i Komisionin Evropian, ka folur për energjinë e ripërtërirë, duke treguar se sa përfitime i ka sjellë vendeve të Bashkimit Evropian.

Jones: Energjia e ripërtërirë, e ardhmja e BE-së

“Në BE po bëhet një metodë për rritjen e vendeve të punës kemi më shumë se 1 milion njerëz që punojnë në energjinë e ripërtërirë në Bashkimin Evropian. Kemi gati 1 milion njerëz që punojnë në eficiencën e energjisë. Komisioni Evropian ka ofruar grante për 144 milionë eurosh dhe për më tepër në kuadër të kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor deri më tash kemi dhënë 54 grande për 100 e ca milionë. Sot ne po lansojmë edhe një proces që e mban Komitetin e Energjisë të përditësuar me evolucionet globale edhe siguron Komuniteti i Energjisë të jetë motor për rritje dhe prosperitet në rajon. Një vizion afatgjatë që krijon sinjale të qarta për ekonominë është thelbësor për ta krijuar këtë mundës për gjithë jetën kjo punë do të lehtësoj dhe inkurajoj investimet e domosdoshme është e mirë për bizneset, mjedisin dhe konsumatorët”, tha Jones.

Ndryshe, Kosova sot ka qenë nikoqire e takimit të  Këshilli i XV Ministror të Komunitetit të Energjisë. 

Këshilli i 15-të Ministror i Komunitetit të Energjisë, mbledh ministrat përgjegjës për energji të nëntë palëve kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë; Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina dhe Bashkimin Evropian.

TKE-së në këtë sesion do të ketë në fokus zhvillimet e përgjithshme të politikave të energjisë, legjislacionin e ri evropian për energjinë, raportin vjetor për aktivitetet e TKE-së dhe buxhetin për vitin 2018-2019. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat