Ekspertët: Normat e interesit shënuan rënie, të zbuten edhe kushtet e kredidhënies

Ekonomi

Ekspertët: Normat e interesit shënuan rënie, të zbuten edhe kushtet e kredidhënies

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 15:15
Banka qendrore

Për një kohë të gjatë normat e larta të interesit për kredi kanë qenë një ndër pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit, por në vitet e fundit këto norma vazhduan të shënojnë një rënie nga 15 në rreth 7.2 përqind.

Mirëpo, sipas ekspertëve të ekonomisë nevojitet ende një ulje e këtyre kamatave bankare, sepse bizneset dhe qytetarët janë mjaft të interesuara për kredi-marrje.

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës thonë se rënia e vazhdueshme e normave të interesit në kredi, pasqyron përparimin e vazhdueshëm që ka bërë Banka Qendrore e Kosovës në zhvillimin e infrastrukturës financiare, gjë e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në lehtësimin dhe menaxhimin e rreziqeve bankare.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti ka thënë se zvogëlimi i normave të interesit në kredi është ndikuar nga niveli i ulët i normave të interesit në depozita e cila në vitin e kaluar ishte 1.2 përqind.

Ai ka lënë të kuptohet se këto norma do të ulen në vazhdimësi.

Mehmeti: Aktivizimi i përmbaruesve privat, reflektoi në uljen e normave të interesit?

 “Zvogëlimi i normave të interesit në kredi mes të tjerash, reflekton rritjen  e vazhdueshme të konkurrencës dhe efikasitetit në sektorin bankar, por edhe përmirësimin  ambientit të jashtëm afarist ku mund të theksohet ndikimi i reformave të sistemit të drejtësisë, që në këtë rast është aktivizimi i përmbaruesve privat”, ka theksuar Mehmeti. 

Ai tutje ka thënë se normat një shifrore të interesit, tregon se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në lehtësimin e qasjes në financa për individë dhe për biznese.

Mehmeti: Kosova ka shënuar progres për qasje në financa për individë dhe për biznese?

 “Përshpejtimi i rritjes së kreditimit së bashku me zvogëlimin e normave të interesit, tregon se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në lehtësimin e qasjes në financa për individë dhe për biznese. Përmirësimi i qasjes në financa paraqet një ndër parakushtet më të rëndësishme për të pasur një zhvillim më të madh ekonomik”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka shtuar se përmirësimi i mëtejmë i ambientit afarist, do të mundësojë që sektori bankar të ketë rol edhe më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Profesori në fakultetin ekonomik, Nagip Skënderi ka thënë për KosovaPress se në periudhat e fundit Kosova ka përmirësuar ambientin biznesor të Kosovës dhe mjedisi biznesor tash është më se i favorshëm se sa viteve të kaluara.

Megjithatë, sipas tij, edhe pse janë bërë këto përmirësime në mjedisin biznesor ende nevojitet ose kërkohet prej sektorit financiar që të zbusë kushtet e kredi-dhënies për bizneset, sepse bizneset janë mjaft të interesuara për kredi-marrje,

Skënderi: Ka ulje të normave të interesit, por nevojitet ende kushte të volitshme

“Sektori financiar, apo Banka Qendrore e Kosovës ka bërë disa përmirësime të dukshme në këto vitet e fundit, duke ulur normat e interesit dhe duke rënë në normën një shifrore, mirëpo megjithatë edhe pse janë bërë këto përmirësime në mjedisin biznesor ende nevojitet ose kërkohet prej sektorit financiar që të zbusë disi kushtet e kredi-dhënies për bizneset, sepse bizneset janë mjaft të interesuara për kredi-marrje, e në këtë kontekst edhe kredi-marrja duhet të jetë me kushte të volitshme”, ka thënë Skënderi.

Sipas  tij norma e interesit duhet të jetë edhe më ulët dhe të bëhet një normë krahasuese me normat e interesit që e kanë vendet tjera.

Ekonomisti dhe biznesmeni Kushtrim Ajvazi ka thënë se bankat po përdorin politika të caktuara, të cilat po koncentrohen te disa biznese me veprimtari të ndryshme, p.sh, sipas tij, këtë koncentrim e kanë te kompanitë prodhuese, ku ofrojnë normat e volitshme të interesit dhe për veç asaj ofrojnë edhe jetëgjatësi të kredisë pak më të volitshme se atë që e ofrojnë bankat tjera.

Ai ka shtuar se biznesi në ditët e sotme nuk mundet të funksionojë pa kredi dhe kjo i ndihmon jashtëzakonisht shumë biznesit për të pasur qasje në financë.

Një rol për uljen e kamatave, sipas tij, e ka luajtur edhe Fondi për Garanci Kreditore.

Ajvazi: Interesi i biznesit është që me marr kredi sa më të volitshme

“Interesi i biznesit është që me marr kredi sa më të volitshme, me normë sa më të ulët të interesit, në mënyrë që mjetet që i merr me mundur me i shfrytëzuar në mënyrë sa më racionale dhe me paguar sa më pak interes... Unë mendoj se Kosova është duke ecur mirë në këtë aspekt sa i përket normës së interesit dhe bizneset në një farë formë mundemi me thënë se janë të kënaqura vetëm atëherë kur paguajnë me norma shumë të ulëta të interesit prej 1 deri 2 për qind. Mirëpo, ka banka në Kosovë që bizneseve serioze, të cilat kanë kredibilitet të mirë me bankat, ka prej tyre që marrin norma të interesit edhe me 4 përqind”, ka thënë Ajvazi.

 Ajvazi shpreson se viti 2018, do të jetë një vit më i mirë edhe për biznesin, por në të njëjtën kohë edhe bankat të ofrojnë kushte më të mira për biznesin, për shkak se biznesi vazhdimisht do të ketë nevojë për financa dhe normalisht edhe kushtet e favorshme e bëjnë një biznes për ta pasur një biznes të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat