OAK: Projektligji për Miniera dhe Minerale të mos votohet në Kuvend, ka mangësi të mëdha

Ekonomi

OAK: Projektligji për Miniera dhe Minerale të mos votohet në Kuvend, ka mangësi të mëdha

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 12:41
Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK)

Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK) së bashku me bizneset anëtare të sektorit minerar, kërkojnë largimin e Projektligjit për Miniera dhe Minerale nga rendi i ditës të Kuvendit të Kosovës.

Kjo kërkesë është bërë në një konferencë për media për siç u tha se ka kaluar në shqyrtim të dytë pa konsultim paraprak me bizneset dhe njëkohësisht disa nga rekomandimet e OEA-së të dala nga takimet e përbashkëta me bizneset e sektorit minerar nuk janë të përfshira.

Kërkesa kryesore e Odës së Afarizmit të Kosovës është që Ligjet dhe Udhëzimet Administrative të jenë kompatibile me njëra - tjetrën.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hamdi Malushi ka thënë se kjo kërkesë nënkupton që  të krijohet një komision i veçantë nga Parlamenti dhe Qeveria dhe çdo ligj apo Udhëzim Administrativ para se të miratohet të konstatohet a është në kundërshtim me një ligj tjetër, në mënyrë që të evitohen problemet e shumta që po e dëmtojnë biznesin dhe po e pengojnë rritjen e investimeve dhe punësimit në vend.

Ai ka thënë se kanë konluduar se formulimi i ligjeve që është bërë, është pengesë për biznese dhe kanë sjell në atë gjendje që edhe t’i shuajnë ato.

Malushi: Bëjmë thirrje që Projektligji të hiqet nga rendi i ditës për votim derisa ai të rregullohet

“Sot jemi të mbledhur dhe bëjmë thirrje që Projektligji për Miniera dhe Minerale të hiqet nga rendi i ditës për votim derisa ai nuk rregullohet dhe nuk përfshihen rekomandimet e Odës së Afarizmit bashkë me bizneset, edhe bizneset e tjera nëse kanë interesim që të shprehin rekomandimet e tyre për barrën që e bartin si problem për zhvillimin e aktivitetit ekonomik. Problem shumë i madh ka dal harmonizimi I ligjeve që implikojnë një biznes. Një biznes për me bërë një aktivitet ekonomik detyrohet që të merr pëlqime të disa institucioneve, secili institucion zbaton pjesën e ligjit me të cilin punon, dhe këto ligje kanë aq shumë probleme, aq janë të pa harmonizuara mes veti sa dalin pothuajse edhe kërkesa banale të njëri ligj me tjetrin”, ka thënë Malushi. 

Ndërsa, biznesmeni Menderes Halabaku ka kërkuar harmonizim ndërmjet Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për licenca. Sipas tij, harmonizimi duhet të jetë konform rezervave të kalkuluara në KPMM, duke pasur parasysh kapacitetet e shfrytëzimit kompanisë.

Halabaku: Problemet janë tek kohëzgjatja e licencave

“Problemet janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, pikërisht tek kohëzgjatja e licencave, kërkohet një harmonizim mes KPMM-së dhe Agjencinë të Pyjeve të Kosovës, ku Agjencinë Pyjor e dini të gjitha e ka të kufizuar me pesë hektarë. Këtu e shoh kërkohet një harmonizim, por harmonizimi duhet të jetë konform rezervave të kalkuluar në KPMM, duke pasur parasysh kapacitetet e shfrytëzimit të kompanisë, ku aty është kohëzgjatja e licencës, dhe në bazë të rezervave është kohëzgjatja e licencës, tash ajo licencë të harmonizohet me Pylltarinë”, theksoi Halabaku.

Edhe biznesmeni Binak Kalludra ka thënë se pa ligj nuk ka shtet dhe shoqëri, andaj duhet të përfshihen rekomandimet e dala nga bizneset dhe OAK. Sipas tij, një investitor serioz nuk mund të funksionojë brenda pesë hektarëve, sepse këto janë kufizime. Andaj, ai kërkoi që të bëhet zgjidhja ligjore në këtë drejtim.

Kalludra: Kohëzgjatja prej 5 në 25 vite është mirë edhe investitorë të jashtëm serioz

“Të gjitha këto rekomandime që janë bërë janë në rregull, këto janë veç edhe nëpër administrata, por nuk janë future në binar akoma. Tash po kërkojmë që këto të bëhen në mënyrë ligjore, sepse pa ligj nuk ka shtet dhe nuk ka shoqëri… Për shembull kjo kohëzgjatja prej 5 në 25 vite është shumë e mirë, ngase këtu një investitorë i jashtëm serioz p.sh, me 100 milionë euro investime nuk mundet me operuar brenda 5 hektarëve, as edhe brenda 20 hektarëve. Ai (investitori) donë rezerva, ai donë hapësira, ai donë me mbajtur ambientin”, ka thënë Kalludra.

OAK ka bërë gjashtë rekomandime për harmonizim të ligjit. Ndër to OAK kërkon që të bëhet një ndarje e këtyre dy sektorëve dhe gjithashtu të krijohet një procedurë e veçantë dhe më e thjeshtë për aplikim për licencë për seperacionet.

OAK po ashtu në rekomandim kërkon që të bëhet përputhja e ndërmjet ligjit dhe Udhëzimit Administrativ ashtu që licencimi të bëhet për 25 vjet. Kërkesa bëhet me arsyen se licenca 5 vjeçare e pengon bërjen biznes në Kosovë, duke ndikuar në largimin e investitorëve të jashtëm pasi që asnjë biznes nuk ka arsyeshmëri që të investojë në një kontratë me afat kaq të shkurtër. Po ashtu në rekomandimin tjetër  OAK propozon që garancioni të mos kufizohet vetëm në banka, mirëpo njëtrajtshëm të jenë të vlefshme edhe kompanitë e sigurimeve pasi që kjo është e pranuar në BQK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat