Programi për financim i NVM-ve, një mundësi e mirë për gratë ndërmarrëse

Ekonomi

Programi për financim i NVM-ve, një mundësi e mirë për gratë ndërmarrëse

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 14:24
Besim Beqaj

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka ftuar gratë ndërmarrëse që të aplikojnë për mbështetje financiare në Programin për financim të NVM-ve, duke thënë se mbështetja e tyre është njëri nga objektivat e MIN, pasi niveli i ndërmarrjeve të udhëhequra nga gratë është i ulët.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës me qëllim të promovimit të Programit për financim të NVM-ve.

Beqaj ka siguruar se projektet e grave do të trajtohen me prioritet, pasi objektiv kryesor i ministrisë është përkrahja e grave ndëmarrëse.

“Gratë ndërmarrëse të Kosovës është dëshmuar se kanë potencial ndërmarrës dhe qëllimi i Programit për mbështetje financiare është fuqizimi ekonomik i grave dhe ngritja e potencialit prodhues dhe shërbyes të NVM-ve për rritje të eksportit të produkteve dhe shërbimeve”, tha Beqaj.

Arieta Vula Pozhegu, anëtare e Bordit e G7, në emër të G7 e falënderoi ministrin Beqaj për pjesëmarrje në takim duke shpresuar se përkrahja e grave ndërmarrëse nga MIN nuk do të mungojë.

Gratë ndërmarrëse anëtare të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës-G7 kanë shfaqur interesimin e tyre për Programin e financimit të NVM-ve dhe mundësitë për përfitim të përkrahjes financiare për ndërmarrjet e tyre, me theks në mundësitë e përfitimit nga ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë.

Takimi i ministrit Besim Beqaj me G7 është mbajtur në kuadër të takimeve me qëllim të promovimit të Programit për financim të star-upeve dhe NVM-ve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat