Prodhuesit e ujit donë faturimin derisa kërkojnë shlyerjen e borxhit

Ekonomi

Prodhuesit e ujit donë faturimin derisa kërkojnë shlyerjen e borxhit

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 15:07
Berat Rukiqi

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës sot me prodhuesit e sektorit të ujit është diskutuar për taksën ujore.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi tha se ka pasur shumë keqkuptime, të cilat pa drejtësisht janë adresuar, ku sipas tij, po falen borxhet me shifra të caktuara, por në fakt nuk është falë asgjë.

Ai shtoi se kjo çështje duhet të merr një epilog, pasi bizneset janë në huti.

Sipas tij, ndër pesë çështjet prioritare të OEK-ut mbetet edhe zgjidhja e problemit të taksës ujore.

Rukiqi: Të ketë zgjidhje përfundimtare për taksën e ujit

“Si Odë Ekonomike e Kosovës, bashkë me partnerët tonë, nga shoqata, nga Klubi i Prodhuesve, ta iniciojmë dhe të tentojmë që brenda një periudhe shumë të shkurt kohore t’i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështje. Ka pasur shumë keqkuptime, të cilat padrejtësisht janë adresuar qoftë nga politika, qoftë nga shoqëria civile dhe nga opinioni, kur është thënë që po falen shifra të caktuara, realisht nuk është falë asgjë për shkak se nuk është faturuar asgjë. Ka qenë diçka krejt fiktive hipotetike, në anën tjetër edhe vlerat që janë përmendur, janë përmendur pa një analizë”, ka thënë Rukiqi.

Bashkim Osmani, kryetar i Shoqatës së Prodhimit të Pijeve alkoolike dhe jo alkoolike, ka thënë se këto probleme po vazhdojnë me vite, dhe sipas tij, problemi kryesor me institucionet është taksa e lartë e ujit.

Ai tha se janë të gatshëm të paguajnë taksën ujore, por iu duhet pajisja me leje ujore.

Osmani: Është e vërtetë që nuk i kemi kryer obligimet

“Me një udhëzim administrative në mars të viti 2016, ne kemi mbërri me ul taksën që ka qenë shumë e lartë në krahasim me vendet tjera dhe kemi pajtuar bashkërisht që me taksën që është vendosur sipas udhëzimit administrativ 2016, të paguhet dhe të fillohet me taksën ujore te të gjithë operatorët. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur. Arsyet ne i dimë. Vazhdimisht ka qenë puna e retroaktivit. Me retroaktivin ne asnjë herë nuk jemi pajtuar, plot prej nesh ka që kanë shkuar nëpër gjykata, asnjëherë gjykatat nuk kanë shpreh në vlerë monetare se sa i kemi borxh shtetit, që me ditë saktë, por gjithherë kanë thënë se: ‘Nuk i keni kryer obligimet”. Është e vërtetë që nuk i kemi kryem obligimet. Për obligimet që nuk i kemi kryer, ka qenë arsyeja e taksës shumë të lartë”, ka thënë Osmani. 

Vëllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka thënë se shumë herë kanë qenë afër zgjidhjes së problemit të taksës ujore, por ndryshimet e shpeshta në Qeveri e kanë bërë të pamundur.

Osmani: Borxhi nuk dihet

“Ne kemi kërkuar që së paku të fillon faturimi me tarifat e reja të udhëzimit administrativ 2016, në mënyrë që mos të akumulohet borxhi prapë, derisa të gjejmë një zgjidhje për problematikën e retroaktivitetit. Një diçka e tillë nuk ka ndodhur, asnjë prodhues me sa di unë nuk ka pranuar fatura me shifra të reja për me filluar me paguar. Ne po themi borxhi, borxhi nuk dihet, normal të gjithë jemi të vetëdijshëm se diçka ka, por të gjithë pajtohen që dëshirojnë me paguar”, tha Osmani.

Ndërsa, prodhuesi Visar Kelmendi ka thënë se sot e 13 vjet vazhdon problemi i faturimit të resurseve të ujit. Ai ka thënë se kanë pranuar të legalizohen, por jo në formën si ka dëshiruar Qeveria dhe se borxhi sipas tij është inekzistent.

Kelmendi: Jemi për legalizim, jemi që të paguajmë tatimet

“Ne jemi për legalizim, ne jemi që po e pranojmë Ligjin, ne jemi që po dëshirojmë me paguar në buxhet qeverisë tonë, edhe me hequr këtë ‘shpatën’ që po na qëndron mbi kokë të gjithëve. Kush është ai që nuk po e bënë? Është Qeveria, është Ministria. I vetmi që e mori guximin dhe nuk kam qare pa e thënë, është një njeri, Ramush Haradinaj, kryeministri. E mori vendimin, e solli vendimin, e kreu këtë në mënyrën e tij, dhe filluam ne me pritë që do ta në vijnë vendimet, ende nuk ndodhi asgjë, falë presionit që unë mendoj shumë të keq, politik”, tha Kelmendi.

Është raportuar se Qeveria ka falur borxhet e prodhuesve të ujit rreth 60 milionë euro, prodhuesit e kanë kundërshtuar këtë shifër të borxhit dhe nuk është zbatuar asnjë vendim për faljen e borxheve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat