OEK: Shqipëria të jetë dera e parë për bashkëpunim ekonomik

Ekonomi

OEK: Shqipëria të jetë dera e parë për bashkëpunim ekonomik

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 14:51
Komuniteti i biznesit nga Kosova dhe Shqipëria

Komuniteti i biznesit nga Kosova dhe Shqipëria do të kenë një fushatë afatgjatë me moton “Blej shqip” të brendeve më cilësore që kanë këto dy shtete.

Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi pas takimit me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka dhe kryetarin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar Arben Shkodra.

Ai ka thënë se takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Rukiqi: Dera e parë për bashkëpunim ekonomik synojmë të jetë Shqipëria

“Dera e parë që ne tentojmë për ta mbajtur hapur, dhe normalisht me u hapur edhe shumë dyer të tjera bashkërisht, është Shqipëria. Pra, një bashkëpunim, i cili për me qenë shumë i sinqertë është në nivele inferior dhe në kuptim ekonomik ne besojmë që para se të kalojmë në iniciativa megalomane, para se të flasim për integrime apo marrëveshje të nivelit rajonal, ne duhet kemi një marrëveshje konkrete të bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, tha se gjatë këtij takimi kanë diskutuar për problematikat biznesore, të cilat janë të shumta, por jo edhe të pazgjidhshme.

Jaka: Ka problematika të shumta, por jo të pazgjidhshme

“Diskutuam për problematikat që e shqetësojnë sot qarkullimin tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Realisht, ka problematika të shumta, por jo të pazgjidhshme. Është momenti në kuadër të integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor të fillojmë integrimin Shqipëri-Kosovë, si një integrim ekonomik kombëtar për t’i shërbyer gjithmonë qytetarëve tanë dhe sipërmarrjeve tona”, ka thënë Jaka.

Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, ka thënë se institucionet përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të krijojnë lehtësira për qarkullimin tregtar në tregjet shqiptare.

Shkodra: Ka shumë punë për të bërë

“Ne jemi të bindur dhe jemi të sigurt që bashkëpunimi do të vijojë më shumë. Nuk është se nuk kemi një bashkëpunim me Kosovën. Unë mendoj se në mes dy vendeve ka shumë për të bërë sa i përket prodhimeve vendore. Një nga sfidat tona është që të njohim produktet përkatëse të secilës palë dhe t’i lehtësojmë ato në tregtimin në midis dy shteteve. Ka shumë punë për të bërë, një punë e madhe i takon qeverive tona, të cilat duhet të jenë lehtësuese sa i përket mbërritjes së produkteve shqiptare në Kosovë dhe produkteve të Kosovës në Shqipëri”, ka thënë ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat