Shkëmbimet tregtare me Kosovën, herë pas here ka ngërçe

Ekonomi

Shkëmbimet tregtare me Kosovën, herë pas here ka ngërçe

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 13:23
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se sot janë shumë më mirë gjërat se sa para katër-pesë vitesh, por duhet bërë më shumë për ngritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, andaj duhet shfrytëzuar potencialin e rajonit përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt sot në Durrës.

Rama: Njerëzit kanë nevojë për paga më të larta

“Kemi pasur një diskutim të gjatë me Dushko Markoviq lidhur me sfidën e punësimit dhe vështirësitë që hasim këtu, i has Kosova, Serbia, i gjithë rajoni, për të përfshirë në tregun e punës në sektorin privat më të rinjtë. U tha edhe gjatë takimit, diçka tha edhe presidenti i Bankës, nënvizoi edhe komisionari se ka pasur rritje të qëndrueshme ekonomike në rajon, dhe rritje të punësimit. Kur kemi përpara shifrat e punësimit, njerëzit rrudhin buzët, sepse e dinë shumë mirë se kanë nevojë për një punë të paguar më mirë, për paga më të larta. Për këtë arsye besojmë se përveç reformave në vendin tonë dhe progresit, duhet të shfrytëzojmë potencialin e madh të pashfrytëzuar të rajonit tonë përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare”, ka thënë Rama.

Ai ka folur edhe rreth shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Rama: Shkëmbimet tregtare me Kosovë, herë pas here ka ngërçe

“Kur vjen puna te shkëmbimet tregtare kemi herë pas here ngërçe dhe probleme, Haradinaj tha se në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi mbledhjen e dy qeverive dhe kemi rënë dakord që kësaj radhe të tejkalojmë dy-tri ngërçe për doganave dhe ndërveprimeve në këtë fushë”, tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë dhe ajo e Serbisë nuk kanë marrë pjesë në takim për shkaqe teknike.

Nga ana e tij, komisionari për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, ka zbuluar në një konferencë për media pas takimit informal të kryeministrave të rajonit me temë “Integrimi i Ekonomisë Rajonale” se çfarë u diskutua në këtë takim.

Hahn: Janë hapur 80.000 vende të reja pune në të gjithë rajonin

“Diskutuam për integrimin ekonomik, për atë që është realizuar deri tani, që është mbresëlënëse. Janë hapur 80.000 vende të reja pune në të gjithë rajonin, si rezultat i rritjes së ekonomisë së brendshme të vendeve, por edhe tregtisë së vendeve të ndryshme të rajonit me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Hahn ndërkaq ka shfaqur shpresën se Parlamenti Evropian do ta trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën sa më shpejtë në mënyrë që brenda një periudhe të shkurtër të bëhet realitet.

Ai tha bujqësia, turizmi janë fusha të rëndësishme për promovimin e ekonomisë së rajonit, përfshirë edhe energjetikën.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se përmbushja e vizioneve për BE-në është shumë e rëndësishme dhe se gjatë vitit të kaluar është bërë një përparim i madh në rajon.

Markoviq: Të përmbushim obligimet tona që kemi marrë në Trieste

“Në mënyrën më të mirë të avancojmë standardet dhe ekonominë tonë dhe në këtë mënyrë të jemi gati për Bashkimin Evropian dhe tregun e përbashkët evropian. Në këtë drejtim është e rëndësishme që të përmbushim obligimet tona që kemi marrë në Trieste në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të shohim të arriturat dhe ato që nuk kemi arritur dhe cilat janë kufizimet që kemi në nivel nacional dhe që këto obligime t’i përmbushim dhe që natyrisht dhe se plani duhet të jetë kah obligativ, në mënyrë që ekonomitë tona t’i ngritim në nivel më të lartë, në mënyrë që standardet e ekonomive tona të jetë më i mirë”, tha ai.

Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, ka bërë të ditur se BERZH-i do të organizojë takimin e ardhshëm në maj në Sarajevë për Ballkanin Perëndimor

Chakrabarti: BERZH ka investuar 10 miliardë euro

“BERZH ka investuar 10 miliardë euro dhe ky është rajoni më i lartë për frymë për investimet e BERZH-it, por kjo nuk do të kishte ndodhur pa pasur investime nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por ka ndodhur pasi ka pasur ndryshime. Por, ndërkohë edhe sfida për të ndihmuar për perspektivën evropiane për të investuar çdo vit që kjo agjendë të përshpejtohet më tej. BERZH do të organizojë takimin e ardhshëm në maj në Sarajevë për Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti i BERZH-it. Kryeministri i Maqedonisë dhe ajo e Serbisë nuk kanë marrë pjesë në takim për shkaqe teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat