Çmimet e prodhimit, ngritja më e madhe te metalet

Ekonomi

Çmimet e prodhimit, ngritja më e madhe te metalet

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Indeksi i çmimeve të prodhimit në Kosovë është më i lartë për 1.2% ndërmjet tremujorit të parë dhe të dytë të këtij viti.

Kjo është bërë e ditur në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e dytë të vitit 2018.

Ngritje më të mëdha, sipas degëve të veprimtarive ekonomike, vërehen te prodhimi i metaleve (8.6%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (3.1%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (2.1%); prodhimi i pijeve (2.0%); prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj (1.6%) etj.

Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te përpunimi i prodhimeve ushqimore (-1.2%); prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (-0.5%); prodhimi i pajisjeve elektrike (-0.4%); prodhimi i mobilieve (-0.3%); prodhimet minerale jo-metalike (-0.2%); dhe nxjerrja e xehes së metalit (-0.2%).

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e dytë 2018 me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 1.7%.

Ngritje më të mëdha, sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: prodhimi i metaleve (26.1%); prodhimi i pajisjeve elektrike (11.8%); prodhimi i drurit, prodhimeve prej drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (6.8%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. (3.1%); prodhimet kimike (2.8%), etj.

Ngritja u neutralizua me rënien  e çmimeve te prodhimi i pijeve (-1.7%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (-1.5%); prodhimi i mobilieve (-0.6%); nxjerrja e xehes së metalit (-0.3%) dhe prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj (-0.1%).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat