OAK dhe investitori kërkojnë përkrahje dhe ofertë për një investim shumë milionësh në Lipjan

Ekonomi

OAK dhe investitori kërkojnë përkrahje dhe ofertë për një investim shumë milionësh në Lipjan

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 13:48
Përfaqësues të Odës së Afarizmit dhe drejtuesit e kompanisë “Bylmeti janë takuar me zyrtarë të komunës së Lipjanit

Përfaqësues të Odës së Afarizmit dhe drejtuesit e kompanisë “Bylmeti janë takuar me zyrtarë të komunës së Lipjanit për të diskutuar në lidhje me mundësitë e përkrahjes që mund të ofrojë kjo komunë për një investim shumë milionësh që Kompania “Bylmeti” së bashku me një investitorë të huaj është duke planifikuar të bëjë në Lipjan.

Kryetari i Odës së Afarizmit Skënder Krasniqi tha se për t’u realizuar  i gjithë ky investim, kërkojnë nga komuna një ofertë konkrete se sa mund të përkrah këtë investim në aspektin e infrastrukturës, përkrahje në taksën që shteti e kërkon gjatë shndërrimit nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore.

Për këtë planifikim të investimeve sipas Krasniqit  është njoftuar edhe kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit, Ekonomik  Valdrin Lluka.

Pronarët e kompanisë “Bylmeti” Ymer dhe Afrim Berisha, shpjeguan në hollësi planifikimet për investime dhe theksuan se janë në fazën finale të arritjes së marrëveshjes, projekt ky i cili do të kontribuojë në punësimin e mbi 100 personave drejtpërdrejt dhe qindra të tjerëve indirekt.

Nënkryetari i komunës  Fauz Xhemajli falënderoi OAK-në për mbështetje të investitorëve dhe përgëzoi kompaninë që kanë zgjedhur komunën e Lipjanit për të realizuar këtë investim duke theksuar se do të kenë përkrahjen e plotë të komunës sa u përket çështjeve që janë në kompetencë të kësaj Komune.

Xhemajli theksoi se taksa e shndërrimit të tokës është në nivelin e Qeverisë dhe nuk kanë mundësi që të përkrahin në këtë drejtim duke theksuar kufizimet që niveli i komunës i ka në këtë drejtim.

Kryesuesi i Kuvendit  Daut Azemi theksoi se sa i përket Komunës nuk do të ketë asnjë pengesë dhe komuna do të ofroj përkrahje maksimale.

Gjithashtu,  Shkelzen Hajdini –drejtori i Zhvillimit Ekonomik i uroi suksese kompanisë dhe theksoi se Komuna është në përkrahje të plotë të biznesit dhe tërheqjes së investitorëve në këtë komunë, duke krijuar lehtësira dhe krijimin e kushteve të të bërit biznes.

 Ai theksoi se Komuna ofron shërbime të shpejta administrative, investitorët janë të liruar nga të gjitha taksat komunale dhe janë të fokusuar në fuqizimin e sektorit privat, duke qenë kontribuues i zhvillimit ekonomik.

OAK kërkoj që në përcjellje të këtij projekti të jetë udhëheqja komunale dhe për këtë u morë premtimi nga nënkryetari Xhemajli dhe kryetari kuvendit  Azemi, duke u caktuar si mbikëqyrës drejtori i zhvillimit ekonomik Shkelzen Hajdini i cili do ta njoftojë udhëheqjen komunale gjatë gjithë kohës për rrjedhat e projektit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat