OAK: Klima e të bërit biznes në Kosovë e pafavorshme

Ekonomi

OAK: Klima e të bërit biznes në Kosovë e pafavorshme

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 15:50
OAK

Në bazë të gjendjes që Oda e Afarizmit të Kosovës është duke parë në terren, klima e të bërit biznes nuk ka përmirësime dhe vazhdon të jetë më e pafavorshme në krahasim me vendet e rajonit. Për këtë bizneset kosovare duhet të bashkëpunojnë më shumë për të krijuar kushte më të mira të të bërit biznes.

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një takim të përbashkët me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës ku ka thënë se mungesa e ligjeve dhe vullneti i legjislativit dhe ekzekutivit për t’i ndryshuar ato, paraqet problem thelbësor për bizneset.

Madje siç tha ai, ka raste të atilla kur ligjet si ai i bujqësisë dhe minierave, i kanë bërë tashmë 10 vjet që sillen nga Qeveria në Kuvend dhe anasjelltas, e që nuk aprovohen. 

Krasniqi me këtë rast u shpreh se kjo Odë në vazhdimësi është duke zhvilluar takime për të parë gjendjen reale rreth kushteve të të bërit biznes dhe të kërkohet veprim në përmirësimin e klimës së bizneseve.

Krasniqi: Për disa arsye, klima e të bërit biznes në Kosovë nuk ka përmirësime

“Në bazë të gjendjes që Oda e Afarizmit të Kosovës është duke parë në terren, klima e të bërit biznes nuk ka përmirësime dhe vazhdon të jetë më e pafavorshme në krahasim me vendet e rajonit. Arsyet janë të shumta dhe ne po i cekim në këtë rast tri pika, ai arsye; një është mungesa e ofertave për biznes, në të gjitha vendet e rajonit edhe në qoftë se dy vende të punës hapen kemi ofertë pak më të veçantë për me i rrit dy vende të punës, e le më më shumë. Në Kosovë nuk ka asnjë ofertë të tillë, ende nuk ekziston, është një ofertë që duhet mbi 10 milionë me i investuar apo mbi 20 milionë. E dyta është mos harmonizimi i ligjeve në Republikën e Kosovës si pasojë e  marrjes apo më mirë të themi kopjimin e ligjeve nga vende të ndryshme, të cilat janë në përputhje me Bashkimin Evropian, por jo çdo gjë që vlen për shembull në një vend evropian siç është Gjermania, mund të vlejë për Kroacinë apo  për Italinë, sepse ato i përshtaten edhe ligjeve tjera brenda shtetit, kjo nuk ka ndodh te ne”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, ligji në shumicën e rasteve është ‘copy – paste’ dhe ka shumë raste kur ligjet në Kosovë janë kundër njëra-tjetrës.

Kryetari i autoritetit kosovar të konkurrencës, Valon Prestreshi ka kujtuar se ky institucion publik i raporton vetëm Kuvendit të Kosovës, duke përmendur se kanë tri gjëra nën kompetencë, siç janë: marrëveshjet e ndaluara-kartele, abuzimet me pozitën dominuese, si dhe bashkimet apo përqendrimit e ndërmarrjeve.

Prestreshi: Kartelet janë forma më e rëndë e shkeljes së ligjit për mbrojtjen e konkurrencës

“Marrëveshjet e ndaluara janë kur bizneset në një treg gjeografik po e marrim shembull Skenderajn, të një tregu përkatës, për shembull po e marrim një produkt të ujit, ulen edhe merren vesh që uji, kjo firmë, kjo firmë, me shit me 20 cent, dhe secila kompani që operon në Komunën e Skenderajt e shet 20 cent dhe bllokohet në mënyrë automatike tregu dhe nuk ka mundësi qytetari të zgjedh ku me shku me ble ma lirë. Kjo formë ëshët më e rënda e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, u shpreh ai.

Ndërsa përfaqësues të bizneseve parashtruan një numër pyetjesh që kishin të bënin me problemet që hasin gjatë operimit të biznesit të tyre.

Për Elham Hazirin nga Shoqata e Operatorëve Kabllor abuzimi me pozitën në treg është problemi më i madh me të cilin ata ballafaqohen.

Se gjendja e bizneseve në treg ka probleme e tha edhe librari Naser Bytyqi, i cili u ankua se me shpërndarjen falas të librave nëpër shkollat e Kosovës, ata kanë mbetur pa punë.

Ai tha se shteti po iu bënë konkurrencë bizneseve të vogla në vend ndërsa kërkoi nga Qeveria që të bëjë seleksionimin e nevojtarëve e jo të ndihmojë vetëm tri shtëpi botuese.

Bytyqi: Shteti po na bënë konkurrencë ne librarëve

"Është një problem kur direkt shteti na bënë neve konkurrencë, gjegjësisht Ministria, Qeveria. Menjëherë pas luftës, Qeveria ka marrë shpërndarjen e librave gratis. Unë mund të kuptoj që Qeveria mund të ndihmojë nevojtarët e profileve të ndryshme, nuk mundem me kuptu qysh Qeveria ndihmon edhe ata që kanë. Tjetra, Qeveria e bënë shpërndarjen vet, kudo në botë shpërndarja bëhet përmes librarit. Shtrohet pyetja se kush po përfiton këtu? Sa veta i punësojnë ata, sa vetë do të mund t’i punësonim na... .. Është apet monopolizimi i tregut. Me libra të anglishtes kanë të drejtë vetëm një firmë me shit, kurse ne librarët tjerë po duhet me mbijetu me fletore dhe lapsa”, theksoi ai.

E sqarime për këtë dha zëvendëskryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, i cili tha se kjo është një ndihmë shtetërore, e cila e dëmton konkurrencën.

Krasniqi: Rasti i librave bie në fushën e ndihmës shtetërore

“Ajo pyetja juaj është me vend. Por ajo i përket një fushe tjetër, ndihmës shtetërore. Ndihma shtetërore është një degë e veçantë që brenda 1-2 viteve ka qenë nën ombrellën e Autoritetit të Konkurrencës... Këtu e tutje ajo ndihmë shtetërore ka kaluar në Ministrinë e Financave. Ne kemi të drejtë me dhënë vërejtje dhe sigurisht me i dhënë opinionet tona se nuk është e drejtë me e ndihmu dikë se faktikisht po dëmtohet konkurrenca dhe po çrregullohet konkurrenca... Por ne jemi të pamundur aty, ne vetëm mund të japim opinionin tonë”, u shpreh ai.

Përfaqësues të bizneseve thanë se krahas mungesës së punëtorëve, në vend nuk ka konkurrencë reale.

Ankesa pati edhe për çmimet e ulëta, për të cilat zëvendëskryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi,  tha se ulja e çmimeve lejohet përderisa biznesi nuk është në pozitë dominuese, pasi që për të hyrë në treg bëhen disa lëshime.

Ndërsa Shaban Muja nga ArtAlumium, tha se në Kosovë bëhet biznes në mënyrë të paskrupullt.

Muja: Si mundet që Turqia të shesë alumin përmes Kosovës, e kompania në Kosovë jo

“Unë e kam një problem shumë serioz. Derisa sot Turqia ka bllokadë ekonomike në Evropë, Turqia e ka bërë pikë doganore Kosovën me alumin. Një klient ka të drejtë me ble në Turqi alumin dhe me e pru në Kosovë, me e bë si pikë dhe me e qit në Çeki. Kurse ki pa doganë, nuk paguan kurrfarë TVSH-je kur të hin brenda dhe menjëherë e qet jashtë mallin për Çeki... Paska të drejtë Turqia, paska të drejtë Shqipëria me pru mallin në Kosovë e me e çun ë Çeki. Kurse unë si prodhues nuk kam të drejtë t’ia jap këtij”, tha ai.

Krejt në fund, kryetari i Bordit të OAK-ut tha se nëse një çmim shkon nën koston e prodhimit janë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në bashkëpunim me Odën që duhet të komunikojnë që çmimi mos të shkojë nën koston e prodhimit.

Krasniqi: Të bashkohemi për një klimë më të mirë të të bërit biznes

“Hajde të bashkohemi më shumë, t’i përdorim të gjitha mënyrat, një mënyrë është me thirrë ministrat, edhe kryeministrat, mënyrë tjetër hajde dalim në protestë t’i tregojmë se kjo nuk është klimë dhe është duke na shkatërruar neve dhe nuk është duke na lejuar të bëjmë biznes, sepse janë çmimet nën kosto, është mosfunksionalizimi i ligjeve dhe probleme të tjera”, tha kryetari i Bordit të OAK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat