Politikat tregtare të Kosovës

Ekonomi

Politikat tregtare të Kosovës

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 6 tetor 2018 Në ora: 21:46
Dr. Artan Haziri

Politikat  tregtare janë ndër politikat më të rëndësishme ekonomike me anë të së cilave shteti (qeveria) përpiqet t’i arrijë synimet e veta, si: rritjen ekonomike, rritjen e punësimit etj.

Zhvillimi ekonomik botëror dhe i ekonomisë së vendeve të veçanta dëshmon për thellimin e ndërvarësisë ekonomike e financiare ndërmjet vendeve të ndryshme. Një  pjesë  e madhe e mallrave dhe e shërbimeve  të  prodhuara  në  vende  të veçanta këmbehen  në tregjet ndërkombëtare . Këto zhvillime të ekonomisë  botërore, të cilat  kanë quar drejt marrëdhënieve shumë të intensifikuara ekonomike, kanë bërë të paevitueshme dhe shumë të nevojshme aplikimin e politikave tregtare nga të gjitha shtetet. Këto politika i zbaton shteti (qeveria), e cila përdor mjete tarifore, si dhe jo tarifore me anë të së cilave kufizon apo stimulon eksportin dhe importin. Nëpërmjet  këtyre  mjeteve  shteti synon të arrijë qëllime të caktuara.

 Ata mund të jenë të llojeve të ndryshme, si:

Tatime ose subvencione:

mbi importet (tarifat, rastet e veçanta-taksat kundërvepruese, taksat anti damping);

mbi eksportet ( dampingu, si formë e subvencionimit të eksportit).            

Kufizime sasiore:

kuotimi i importit (embargo e eksportit, kufizimi i blerjeve qeveritare nga të huajt);

kuotimi i eksportit (embargo e eksportit, monopoli shtetëror i eksportit).

Politika të tjera:

kufizime teknike e administrative;

asistencë përshtatëse ndaj të dëmtuarve nga konkurrenca e huaj;

politika valutore, që ka efekte të njëjta me pagesat nga subvencionet tregtare.

Këto  mjete të politikës tregtare kanë ndikim shumë të  madh në zhvillimet e rëndësishme ekonomike. Mjetet e politikave tregtare  kanë një rëndësi të veçantë për Kosovën. Në analizat  ekonomike, përveç treguesve të tjerë, për të shprehur nivelin e zhvillimit ekonomik të një vendi, merren  edhe  transaksionet ekonomike. Sikurse edhe treguesit e tjerë makroekonomikë, po ashtu, edhe këmbimi ndërkombëtar, shpreh nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese të vendit përkatës, i cili shprehet nëpërmjet vlerës dhe strukturës së mallrave të importuara dhe të eksportuara.

Këmbimet ekonomike me botën për ekonominë e Kosovës ishin dhe mbetën të pavolitshme. Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik të Kosovës në periudhën e pasluftës, ndikoi që në marrëdhëniet ekonomike të dominojë importi i mallrave dhe i shërbimeve, i cili është dukshëm më i madh se eksporti. E tërë kjo u reflektua në deficitin e madh të bilancit të pagesave .

Prandaj,  ky deficit i madh tregtar, paraqet një nga problemet kruciale, me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare. Importi i mallrave dhe i shërbimeve përbën 50% të bruto-produktit kombëtar që realizon Kosova. Deficiti tregtar i Kosovës, në vazhdimësi, ishte shumë i lartë, madje ka ardhur duke u rritur. Kosova ka një politikë tregtare liberale. Kjo ka qenë rezultat i ndërmarrjes së inicuar nga Pakti i Stabilizimit për Liberalizimin e Tregtisë. Marrëveshjen e parë për tregti të lirë Kosova e ka nënshkruar me Shqipërinë, pastaj me Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën dhe me Kroacinë. Në vitin 2006 Kosova nënshkroi marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë edhe me vendet e Evropës Juglindore.

CEFTA ka për qëllim krijimin e rregullave dhe të mekanizmave me anë të të cilave qeveriset tregtia e jashtme në rajon. Këto rregulla kanë qenë të harmonizuara me principet e BE-së dhe të OBT-së. Përvoja e fituar tregtare me vendet e rajonit do t’i bëjë produktet e Kosovës konkurruese për tregun e BE-së dhe më gjerë. Gjithashtu, Kosova në këtë proces do t’i formojë institucionet dhe politikat që janë në përputhje me kërkesat e OBT-së. Një tjetër qëllim i CEFTA-së është edhe krijimi i një tregu tërheqës rajonal, i cili do të krijojë mundësi të reja për bizneset e vendeve apo investitorët e huaj. Por, duhet theksuar faktin se marrëveshjet për tregti të lirë, si dhe liberalizimi i tregtisë si i tillë, nuk mjafton për t’u zhvilluar ekonomia e Kosovës.

Orientimet e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, lidhur me formulimin e politikave tregtare, duhet të kenë disa pikësynime:

- Politikat  tregtare  duhet të formulohen, zbatohen dhe të vlerësohen në mënyrë të tillë që do t’i jepnin më tepër përparësi zhvillimit sesa vetë rezultateve të tregtisë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se reduktimet tarifore dhe jo tarifore duhet të menaxhohen nëpërmjet seleksionimit sektorial.

- Politikat tregtare, por edhe politikat zhvillimore që kanë të bëjnë me tregtinë, duhet të kuptohen dhe të menaxhohen mirë, në mënyrë që përfitimet nga liberalizimi i tregtisë të jenë më të larta dhe më të qëndrueshme. Zgjerimi  i  konkurrencës  është  i një rëndësie të madhe për  promovimin e eksportit. Por, politikat që e përmirësojnë konkurrueshmërinë nuk janë politikat tregtare, por politikat e lidhura me tregtinë.  E, dihet se tregtia është një koncept i ndërlidhur që ndikon pothuajse në të gjitha fushat ekonomike dhe sociale. Prandaj, ekziston një nevojë urgjente institucionale për sforcimin e bashkëpunimit dhe të koherencës ndërmjet të gjithë akterëve relevantë, që e formojnë sistemin e tregtisë në Kosovë.Politikat tregtare të Kosovës duhet të jenë të harmonizuara me politikat e tjera ekonomike dhe me politikat zhvillimore, në mënyrë që të jenë të suksesshme në realizimin e objektivave zhvillimore të Kosovës.Marrëveshjet tregtare, anëtarësimi i Kosovës në OBT dhe në institucionet e tjera ekonomike ndërkombëtare, i japin Kosovës mundësinë e qasjes në tregjet e vendeve të tjera. Qasja në tregjet ndërkombëtare ka ndikim të rëndësishëm në bilancin tregtar, në rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e punësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat