KOSID: Nuk duhet të jetë në bordin e ZRRE-së ish menaxheri i KEDS-it

Ekonomi

KOSID: Nuk duhet të jetë në bordin e ZRRE-së ish menaxheri i KEDS-it

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 11:47
KOSID

Përveç deputetëve, edhe përfaqësues të shoqërisë civile po dyshojnë në listën kandidatëve të propozuar nga Qeveria e Kosovës për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregulltarit për Energji (ZRRE).

Heqja e kandidatit Fadil Ismajli nga gara me më së shumti pikë, dhe propozimi i dy kandidatëve, Bekim Jakupi dhe Petrit Pepaj të cilët kanë pasur më pak poenë, nuk është sqaruar për deputetët dhe opinionin ende nga Qeveria e Kosovës. Shoqëria civile kërkon të mos jenë në krye të ZRRE-së, ish menaxherët e KEDS-it.

Arton Demhasaj drejtor ekzekutiv në organizatën “Çohu” ka thpyë se përderisa nuk ka arsyetime të qarta për këtë çështje, Qeveria është e obliguar që ta respektojë memorandumin me Qeverinë Britanike dhe t’i dërgojë të gjithë emrat me më së shumti pikë në Kuvend.

Demhasaj deklaron se britanikët nuk kanë fuqi për të anuluar procesin në fjalë, por sipas tij, munden me rekomandua, ose me kërkua që procesi me u anulua, me u rishpallë edhe me nisur prej fillimit, qysh ka ndodhë në plot raste të tjera në të kaluarën.

Demhasaj: Nuk duhet të manipulohet më kandidatët

“Derisa Qeveria ka kontraktuar këtë, të themi, organizatë britanike për me u marrë me procesin e rekrutimit, atëherë në njëfarë mënyre është jo e drejtë që personi që ka marrë më së shumti pikë nga ky komision, mos me iu dërgua emri në Kuvend. Për këtë arsye nuk duhet të lejohet me ndodhë kjo. Në rast se Qeveria ka arsyetime të forta se pse nuk e ka dërgua emrin e tij, apo ai është tërheq nga procesi apo gjëra të tilla, atëherë procesi mundet me vazhdua edhe me dy emra të dërguar. Mirëpo, nuk kemi arsyetime të qarta për këtë çështje, Qeveria është e obliguar që ta respektojë memorandumin me Qeverinë Britanike dhe t’i dërgojë të gjithë emrat me ma së shumti pikë në Kuvend”, ka thotë Demhasaj.

Ai shton se shqetësimet e deputetëve të opozitës në komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik janë të arsyeshme, sepse duhet me marrë përgjigje nga ana Qeverisë për arsye pse është tërheq ose nuk është dërguar emri i një prej kandidatëve më të suksesshëm që ka qenë përmes Komisionit Britanik.

Demhasaj: Qeveria duhet të ketë argumente të forta për largimin e Ismajli nga gara

“Nëse Qeveria nuk jep arsyetime të forta, atëherë është e obligueshme që të tre njerëzit që kanë marrë më së shumti pikë me i çuar përmes Kuvendit për me marrë aprovimin që njëri nga ta me qenë anëtar i Bordit të ZRRE-së. Dhe, në aspektin e asaj që mos me u vonuar ma shumë ky proces, që mos me mbetur në njëfarë mënyre i bllokuar Bordi i ZRRE-së, për shkak se kjo mundet me iu konvenua KEDS-it ose edhe KEK-ut në njëfarë mënyre derisa i Bordi i ZRRE-së nuk është i plotësuar në total që me marrë vendime”, thekson ai.

Kreu i organizatës “Çohu”, thotë se dyshimet ekzistojnë për ndonjë qëllim politik.

Ndërsa, edhe Dardan Abazi nga konsorciumi  KOSID që është hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ndalojë së shfrytëzuari memorandumin me Ambasadën Britanike që është vetëm për marketing politik dhe në fakt duhet të marrë për bazë rekomandimet që ekspertë nga kjo Ambasadë japin gjatë procesit të vlerësimit dhe kështu të sjellin në Kuvend emrat më meritorë për Bordin e ZRRE-së dhe për kryesues të Bordit e ZRRE-së.

Abazi: Ka shkelje të drejtpërdrejtë të memorandumit

“Ka shkelje të drejtpërdrejtë të memorandumit të cilin Qeveria e ka nënshkruar me Ambasadën Britanike, dhe tregon ose shpërfaq publikisht një lloj mungese të vullnetit politik për të realizuar këtë memorandum në frymën në të cilën është nënshkruar. Ligjërisht, Qeveria ka përmbushur kushtin që të sjellë dy emra për një pozitë të caktuar, mirëpo është e qartë që qëllimi ka qenë që të sillen emrat, jo që të sillen emrat më profesionistë, por që të sillen emrat që janë politikisht me më së shumti mbështetje”, thotë Abazi. 

Në fakt, sipas tij, ka dilema edhe të shkeljes së ligjit për konfliktin administrativ për shkak se i njëjti person që ka qenë në një pozitë të lartë në njërën prej ndërmarrjeve kryesore të tregut të energjisë, tashmë do të bartet në një institucion që do ta rregullojë këtë ndërmarrje. 

Në këtë rast bëhet fjalë për kandidatin Petrit Pepaj, i cili ka qenë i punësuar në një pozitë të lartë në KEDS.

Sipas Abazit në këtë kuptim ka edhe shkelje të legjislacionit sa i përket konfliktit të interesit.

Abazi: Nuk duhet të jenë në Rregullator ish punonjësit e KEDS

“Rasti me eklatant, që pas punës në këto kompani(KEDS), të jenë anëtarë të bordeve të agjencive rregullator që i rregullojnë pikërisht këto kompani”, thotë ai.

Ndryshe, Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik para disa ditësh, me shumicë votash nga deputetë të opozitës, kanë votuar pro kthimit mbrapa të raportit të Qeverisë së Kosovës me dy kandidatët e lartë përmendur. Deputetë kanë kërkuar për herë të dytë sqarime shtesë përse është larguar nga gara kandidati me më së shumti poenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat