OEAK: Ndryshimi i ligjit për TVSH avancon reformën fiskale në Kosovë

Ekonomi

OEAK: Ndryshimi i ligjit për TVSH avancon reformën fiskale në Kosovë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 09:39
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për plotësim-ndryshimin e legjislacionit tatimor, e në veçanti të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke vlerësuar se kjo masë do të mundësojë mbledhjen e brendshme të këtij tatimi.

Sipas OEAK-ut, kjo masë, së bashku edhe me masat e tjera fiskale të implementuara gjatë këtij viti, si dhe gjatë viteve të fundit, pa dyshim se do ta bëjnë më atraktive ofertën e Kosovës për investitorët e jashtëm por edhe për investitorët e brendshëm.

“Investitorët amerikanë tashmë shohin atraktivitet më të madh në tregun e Kosovës, e konfirmim i kësaj është edhe ardhja e brendeve amerikane në shtetin e Kosovës, proces ky i cili do të vazhdojë edhe në javët dhe muajt në vijim. Prania e brendeve amerikane do të reflektojë siguri edhe për kompanitë e tjera ndërkombëtare të cilat me vite kanë ngurruar të shtrijnë aktivitetet e tyre afariste në Kosovë. Reformat e vazhdueshme në mjedisin e të bërit biznes të pasqyruara edhe në raporte të organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondacioni Heritage janë rezultat i dialogut aktiv ndërmjet sektorit privat dhe publik në të kaluarën, ndërsa që rezultatet pozitive të mos mungojnë në këtë drejtim nevojitet një konsideratë dhe angazhim më i madh për dialogun publiko-privat, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të rendit e të ligjit”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

Oda Amerikane thotë se mbetet e përkushtuar për partneritet konstruktiv me institucionet e Kosovës me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të mjedisit të të bërit biznes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat