Diskutohet për shtimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Greqi - Bota Sot
Diskutohet për shtimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Greqi

Ekonomi

Diskutohet për shtimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Greqi

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 14:31
Pamje nga takimi

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim një delegacion të shtetit të Greqisë, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë Ioannis Brachos.

Në këtë takim të dyja palët diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe financave ndërmjet dy vendeve.

Ministri Hamza e njoftoi delegacionin grek për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për menaxhimin e financave publike, si dhe për reformat fiskale që ka ndërmarrë dhe do të merr Qeveria e Kosovës, të cilat mundësojnë dhe ndikojnë në krijimin e kushteve më të mira në të bërit biznes, si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Ndërsa, sipas kumtesës për media, sekretari i përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë Ioannis Brachos falënderoi  Ministrin Bedri Hamza për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit grek për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, sidomos në aspektin ekonomik dhe  financiar.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesja diplomatike e deritanishme e Greqisë në Prishtinë Constantina Athanassiadou dhe përfaqësuesja e re e Greqisë Chryssoula Aliferi.

Ministri Hamza i shprehi mirëseardhje Alifer, dhe e siguroi atë për vazhdimin e bashkëpunimit të Ministrisë së Financave me Ambasadën greke në Prishtinë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe financave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...