Kërkohet rritja e taksës ndaj mallrave serbe në 25 për qind

Ekonomi

Kërkohet rritja e taksës ndaj mallrave serbe në 25 për qind

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 13:34
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal,

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, lidhur me realizimin e planit të punës së këtij viti dhe planifikimet për vitin e ardhshëm.

Deputeti i Partisë Demokrate të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga ministri  Shala që si kundërpërgjigje ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, të rritet taksa ndaj mallrave serbe nga 10 në 25 për qind.

"Ju takon juve që ta rrisni taksën. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kundër kësaj sjellje armiqësore të Serbisë dhe taksa të rritet prej 10 deri 25 për qind. Kjo është urgjente dhe duhet të diskutohej kjo çështje dhe ma merr mendja që nuk keni nevojë me na prit neve", tha ai.

Ndërsa, ministri Shala u shpreh se me vendosjen e taksës ndaj produkteve të serbe prej 10 për qind, Kosova filloi reciprocitet me Serbinë.

Komisioni për zhvillim ekonomik diskutoi edhe për rritjen e çmimit të bukës. Ministri Shala tha se ngritja e çmimit të bukës është i panevojshëm. Sipas tij, kjo është bërë në mes të një marrëveshje që kanë bërë shoqëritë tregtare sidomos ato të Prizrenit dhe Kaçanikut.

"Nuk ka arsye për rritje të çmimit duke ditur edhe rezervat që kemi. Mendoj që është e koordinuar në mes shoqërive tregtare, kryesisht në Prizren dhe Kaçanik", tha ai.

Këtë argument e ka vërtetur edhe anëtari i këtij Komisioni nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu.

Shala ka bërë të ditur vendimin e MTI-së ka urdhëruar se të gjithë produktet me mbishkrime “Kosovo- UNMIK”  të largohen nga tregu dhe asnjë mall i tillë të mos lejohet të hyjë në Kosovë.

Ndërsa, anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së , Hykmete Bajrami duke e konsideruar raportin e ministrit të mangët, kërkoi sqarime për mos deklarime nga MTI sa i takon rangimit për rënien për të bërit biznes. Në përgjigjen e tij, ministri i Shala tha se Kosova ka rënë për tri apo katër vende, e cila nuk ka ndodhur si pasojë e mos realizimit të detyrave nga institucionet, por pasi shtetet tjera kanë avancuar më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat