Buxheti për mjedisin për 2019 do të jetë 37 milionë euro

Ekonomi

Buxheti për mjedisin për 2019 do të jetë 37 milionë euro

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 17:26
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vazhduar raportimin para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilin ka vazhduar shqyrtimi i Raportit Vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Matoshi para anëtarëve të komisionit tha se Ministria e Mjedisit është duke u angazhuar në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit duke përmendur kështu një sërë veprimesh që janë ndërmarrë.

Ai tha se në kuadër të angazhimeve si ministër i MMPH-së ka kërkuar zbatimin e kontrollit të emetimit të gazrave që lirohet nga veturat, kontrolli i derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë dhe konfiskimin e thëngjillit që shitet në rrugë ilegale.

“Para dhjetë ditësh, kemi pasur një aksion për konfiskimin e thëngjillit që shitet rrugës në mënyrë ilegale. Në bashkëpunim me KPMM-në dhe policinë, janë konfiskuar shtatë kamionë me thëngjill. Ata janë dërguar në KEK ku edhe janë zbrazur”, tha Matoshi.

Ai ka bërë të ditur se buxheti për mjedis për vitin 2019 do të jetë 37 milionë euro, ndërsa tregoi se së bashku me donatorë ndërkombëtar, MMPH-ja tashmë ka hyrë në projekte të mëdha për trajtimin e ujërave të zeza dhe rritjen e rezervave ujore.

“Kemi filluar me projekte të mëdha që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza. Jemi në procedurë të ndërtimit, studimit të fizibilitetit dhe negocimit për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Po ashtu edhe në rritjen e rezervave ujore që tashmë së fundmi kemi marrë përgjigje edhe nga Banka Botërore që është e gatshme të mbështesë Kosovën në ndërtimin e së paku dy ujëmbledhësve të ri që do të ndikojnë në krijimin e rezervave ujore për vendin”, tha Matoshi.

Gjatë kësaj mbledhje, anëtarët e Komisionit kërkuan të informohen në lidhje me cilësinë e ajrit në Kosovë, gjendjen e lumenjve, pyjeve dhe krijimin e hartave zonale.

“Jemi angazhuar fuqishëm me Task-forcën ‘Ta pastrojmë Kosovën’, kemi  1.2 milion euro grant të performancës për komunat  nga viti 2019 që komunat të fillojnë të shpërblehen për kontributin në menaxhimin e mbeturinave.  

Me qëllim të krijimit të një menaxhimi të integruar të mbeturinave së bashku me MAPL-në dhe donatorët, GIZ dhe  Zyrën e BE-së në Kosovë kemi krijuar një fond prej rreth 20 milionë euro”, tha ministri Matoshi.

Po ashtu është diskutuar edhe për shtimin e 12 punëtorëve, roje të natyrës sidomos në rajonin e Kaçanikut dhe Shtërpcës për shkak të nevojave që kanë këto dy vende, në ruajtjen e parkut Sharr.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat