Kosova rritë taksën 100 për qind ndaj Serbisë, Haradinaj: Veprim prej zorit

Ekonomi

Kosova rritë taksën 100 për qind ndaj Serbisë, Haradinaj: Veprim prej zorit

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 14:32
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka mbledhur sot kabinetin qeveritar në të cilin u morën disa vendime të rëndësishme.

Njëra nga to është rritja e taksës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës për 100 përqind.

Në këtë mbledhje po ashtu është marr vendimi që të pezullohet një vendim i mëhershëm i Qeverisë për pronat e AKP-së që u janë dhënë komunave.

Lidhur me vendosjen e masës për mallrat serbe dhe ato nga Bosnja ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, përveç kërkesës pëër këtë masë ka kërkuar edhe që nga tregu të largohen të gjitha produktet që në etiketën e tyre Kosovës i referohen me emrin Kosova Metohija.

Po ashtu, ai ka kërkuar që të ndalohet importi dhe hyrja potenciale në treg e të gjitha produkteve që nuk i referohen Kosovës me emërtimit zyrtar të saj.

Shala: Masa prej 100 përqind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja

“Qeveria e Kosovës obligon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, inspektoratin e saj të tregut, inspektoratet komunale të tregut, Doganën e Republikës së Kosovës që të largojnë nga tregu dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve të cilat në etiketën apo deklaracionin e tyre kanë përmbajtje e importues, distributor, përfaqësues, prodhues apo edhe ndryshe për, dhe në Kosovo Metohija, UNMIK1244 apo emërtime të tjera të cilat janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu obligon Doganat e Kosovës, Agjencisë e Ushqimit dhe Veterinës, si dhe institucionet tjera relevante të zbatojnë masa të njëjta ndaj Serbisë dhe Bosnjës sa i përket dokumenteve dhe certifikatave që kërkohen gjatë të bërit treg”, tha Shala.

Dokumentet dhe certifikatat, sipas tij, i referohen analizave të testimit, analizave laboratorike, certifikatave sanitare, barkodit të produkteve kosovare.

Këtë kërkesë të Shalës e ka përkrahur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se vendi është bllokuar vazhdimisht nga Serbia.

Haradinaj: Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s

“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi dhe kemi të dhëna të shumta. Por, kësaj mund t’i shtohet edhe rrezikimi i sigurisë kombëtare, një qasje e tillë që ka ardhë nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit. Duke qenë kështu unë e përkrahi propozimin e juaj”, tha kryeministri i Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për pezullimin e të gjitha vendimeve të Qeverisë së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore që administrohen nga AKP-ja tek Komunat e Kosovës për qëllim të realizimit të interesit publik.

Vendimi anulon të gjitha vendimet e Qeverisë  së Republikës së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore te komunat e Kosovës për qëllim të realizimit të interesit publik për të cilat i janë drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e për të cilat verifikohet se ka Kontrata të Shitjes, apo në  të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar arsyen se pse po ndodh ky pezullim.

Haradinaj: Pezullimi ndodh për të gjitha këto

“Veprimet tona pezullohen bazuar në opinionin publik se presidenti i vendit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Qeverisë. Njëkohësisht, pezullimi ndodh për të gjitha këto, anulohen të gjitha vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilat verifikohet se ka kontrata të shitjes apo në të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”, tha ai.

Haradinaj bëri të ditur se nga ky vendim përjashtohen vendimi për Parkun Inovativ në Prizren, Zonën Industriale Amerikane në Gjakovë dhe ai për ndërtimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Kurse, me qëllim të sqarimeve të mëtejme lidhur me kërkesat e Komunave Qeveria ka themeluar një grup punues, ku ky grup do të paraqes një raport me shkrim dhe rekomandime lidhur me këtë çështje brenda një jave.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete në vlerë prej 600 mijë euro për të kompensuar orët shtesë të zjarrfikësve të Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se kjo shumë prej 600 mijë eurove nuk duhet të kalohet.

Hamza: Deri me datën 10 dhjetor t’i sjellin listat e specifikuara për çdo të punësuar

“Qeveria e Kosovës do t’i mbështes me shumën prej 600 mijë eurove për kompensimin e orëve shtesë dhe ne si Ministri e Financave pajtohemi që kjo shumë të jetë prej 600 mijë eurove. Ju kisha lut që në propozim vendim të shtohet edhe një nen me qëllim që vendimi të jetë më lehtë i zbatueshëm dhe të mos paraqes probleme në ekzekutim. Si dhe të jetë teksti i pikës në vendim, obligohet Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me komunat që më së largu deri me datën 10 dhjetor t’i sjellin listat e specifikuara për çdo të punësuar, duke mos kaluar shumën e paraparë në vendimin e Qeverisë”, tha ai.

Edhe kryeministri i Kosovës, ka bërë apel që sa më shpejt të përfundojnë procedurat e listave të të punësuarve, por ka potencuar se nuk duhet të kalohet shuma e paraparë.

Haradinaj: Duke mos e tejkaluar shumën 600 mijë euro në total

“Sa i përket Qeverisë çdo gjë është gati, nëse bëhet kjo pagesë do të varet pikërisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, ministër nuk iu mbetet shumë kohë, ju mbeten dy javë ndoshta. Vendimi parasheh ndarjen e shumës, por edhe obligohet ministria e Punëve të Brendshme që me sjell listën e të gjithë të punësuarve, numrin e orëve të tyre, pra të gjithëve sa u takojnë pare. Por, duke mos e tejkaluar shumën 600 mijë euro në total”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar draftin e rendit të ditës për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ku për këtë qëllim ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 120 mijë euro.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për përjashtim nga procedurat e Ligjit për prokurim publik në çështjen e angazhimit të përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Gjithashtu, Qeveria ka miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancim të bursave në nivel të studimeve master ndërmjet Ambasadës së Francës në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, i cili synon reformimin e legjislacionit në funksion të shtetit ligjor, duke forcuar mbikëqyrjen gjyqësore të procesit të ekzekutimit të sanksioneve të vendosura në rastet penale.  Në këtë funksion do të jenë edhe ndryshimet për: krijimin e qendrës për vlerësimin e të burgosurve, përcaktimin e kushteve të përzgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucione të Shërbimit Korrektues, përcaktimi i beneficioneve për të dënuarit, procedurat e punësimit të të dënuarve jashtë institucionit korrektues, përcaktimi i kompetencave të njësisë ekonomike të Shërbimit Korrektues; dhe kompetencat dhe përgjegjësit e inspektoratit.

Plotësim, ndryshim dhe anulim të pjesshëm ka marr vendimi i Qeverisë së Kosovës me të cilin janë shpallur zona me interes të veçantë pronat e paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Kompleksit (Rezidencave) Qeveritar” në zonat kadastrale në Prishtinë dhe Graqanicë.

Qeveria ka ndarë 500 mijë euro për përfaqësuesen e futbollit të Kosovës.

***

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka dal pasdite në një konferencë për media ku ka dhënë më shumë detaje lidhur me vendimin e sotëm për rritjen e taksës për 100 përqind ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

"Në vazhdën e përpjekjeve për të fuqizuar ekonominë tonë, kemi marrë vendim që të marrim masën nga 10  në 100 përqind. Po ashtu nga sot obligohet Dogana dhe Inspektoratet që të largojnë nga tregu, që të largojnë po ashtu edhe importin e tyre, që kanë emërtimin, distributor, përfaqësues apo edhe me vetëm emrat, ‘Kosova – Metohia’, Kosova 1244 apo edhe me qytete duke mos përfshirë emrin e shtetit tonë", tha ai.

Nga sot, sipas tij Qeveria e Kosovës obligon Doganën të zbatojnë masa të njëjta me Serbinë, që kërkohen certifikatat e të bërit tregti  ,që janë analiza dhe bar kode për produkte të Kosovës.

 Sipas tij produktet e Kosovës në Serbi as nuk mund të hyjnë. "Kompanitë e Kosovës, as nuk mund të konkurrojnë në treg në Serbi, ndërsa mbi 100 të Serbisë janë në Kosovë", tha Shala.

Ndryshe ky vendim është marr sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se këtë veprim e kanë marr prej zori pasi që Serbia vazhdimisht iu ka shkaktuar probleme qytetarëve të Kosovës.

Image

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendimin për rritjen e taksës doganore për produktet e Serbisë e kanë marrë nga zori, pas bllokimit që vazhdimisht po i bën Serbia vendit tonë në të gjitha fushat.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ku është marrë vendimi për rritjen e taksës doganore në 100 për qind për mallrat serbe nga 10 sa ishte ngritur më herët, Haradinaj ka thënë se Serbia vazhdimisht ka vendosur barriera jo tarifore ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur se produktet e Kosovës për të hyrë në Serbi iu nënshtrohen  procedurave të verifikimit dhe analizës, madje ka pasur edhe pengesa në transport, duke mos respektuar në këtë mënyrë marrëveshjen e CEFTA-s.

Haradinaj: Këto janë veprime të zorit

“Janë bërë 20 vjet nga lufta, janë bërë 10 vjet nga pavarësia dhe shihet se Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër pos kur nuk ka çare pa u dakorduar me ty. Besoj që të gjithë e dinë, edhe Amerika, edhe BE-ja, që Serbia nuk po tregon një mirëkuptim për normalizim, përkundrazi qasja e tyre është kundër normalizimit. Ne nuk kemi zgjidhje shumë duhet ta mbrojmë interesin dhe sigurinë tonë. Këto janë veprime të zorit”, tha ai.

Kreu i Qeverisë, ka thënë se dialogu me Serbinë është i pashmangshëm, mirëpo mbrojtja e vendit është e pashmangshme.

Haradinaj: Ne jemi të mbështetur për muri si Kosovë

“Dialogu është i pashmangshëm, nuk mund të ikim prej dialogut, duhet me pas dialog. Mirëpo, edhe mbrojtja e interesit të vendit tonë është e pashmangshme. Ne nuk e kemi bërë këtë veprim në kalkulim kohor. Nëse dikush kujton se është çështje e ditëve dhe e heqim është mirë të kuptohet që nuk kemi ne fort dalje. Ne jemi të mbështetur për muri si Kosovë, janë bërë 10 vjet. Pesëshja e BE-së nuk na njeh, jemi të bllokuar në planin tjetër ndërkombëtar, nuk na njohin nga Serbia, çka presim ne. Edhe sa kohë do të vazhdojmë me qenë kështu?”, tha ai.

Haradinaj ka folur edhe sa i përket mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe  shpenzimin e 1.2 milionë euro për lobim.

Haradinaj: Bëhet fjalë për votë të 2/3, është një votë e vështirë

“Bëhet fjalë për votë të 2/3, është një votë e vështirë. Po, Serbia e ka bërë punën e vet, por është pak edhe gjeopolitikë ajo që ka ndodhur, ka grupime, interesa. Këtu nuk duhet ta lëmë mangët edhe punën tonë, pra puna jonë me siguri se ka mundur të bëhet edhe më shumë. Ju siguroj se të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë kanë qenë aktiv në këtë temë. Po, është një qasje agresive në të gjitha anët nga Serbia. Çdo para e shpenzuar ka argumentimin e vet, pra nuk ka para të shpenzuara pa argumentim. Tash ju e dini që ambasadat tona kushtojnë. Tash nuk dihet se sa, veprimtaria jashtë vendit është e kushtueshme. Çdo gjë që e parasheh ligji po, aty ku ligji thotë nuk bën, po ashtu do ta respektojmë”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për vendimin e Qeverisë që ka pezulluar vendimin për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave deri në  vendimin e Kushtetueses. Vendimin e presidentit Hashim Thaçi për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, Haradinaj tha se është  veprim i pabazë.

Megjithatë, ai ka ri-konfirmuar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë se ndarja e Kosovës dhe lëvizja me kufij nuk është opsion për marrëveshje me Serbinë.

Haradinaj: Nuk ka arsye të shkelet Kushtetuta me këtë vendim

“Shkelja e Kushtetutës në një vendim të zbatueshëm do të ishte rast i rëndë dhe është mirë të shqyrtohet. Kjo është një punë e përditshme e Qeverisë së vendit, e cila nuk mund të zbatohet jashtë ligjeve, nuk ka arsye të shkelet Kushtetuta me këtë vendim, është pamundshme të shkelet Kushtetuta. Pasi të gjithë ata që i zbatojnë janë mekanizma ligjorë. Sido që të jetë, e thashë edhe më herët, nëse ka rrezikim për sigurinë kombëtare dhe unë jam i pari që dua ta korrigjoj nëse kam bërë gabim. Jam i kënaqur ta korrigjoj, dhe e falënderoj presidentin dhe këdo që më ndihmon në ruajtjen e sigurisë kombëtare”, tha ai. 

***

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë nga sot do të kenë taksë prej 100 për qind.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.

"Nga sot t'i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja", tha Shala.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se e përkrahë këtë gjë.

"Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. Cefta nuk ka funksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj", tha ai.

***

Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës 100 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat