Importi nga Serbia para taksës prej 100%, për një muaj Serbia shkarkoi 37.8 milionë euro mallra në Kosovë

Ekonomi

Importi nga Serbia para taksës prej 100%, për një muaj Serbia shkarkoi 37.8 milionë euro mallra në Kosovë

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 10:33
Kamionë nga Serbia

Deficiti tregtarë i Kosovës, në muajin tetor është më i lartë për 13.7 për qind.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.7 për qind në muajin tetor 2018, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 270.5 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 238.0 milionë Eurosh në vitin 2017.

Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin  me 12.4 për qind.

Në muajin tetor, kishte rritje në importin dhe eksportin e mallrave.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2018 kishte vlerën 38.3 milionë Euro, ndërsa importi 308.8 milionë Euro, që është një rritje prej 12.5% për eksport dhe 13.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017“, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Agjencioni i Statistikave.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, ASK thotë se 41.5 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 6.6 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.4 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 3.7 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Sipas grupeve kryesore të importit, produktet minerale dhe metalet bazë marrin pjesë me përqindje më të lartë në import.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.2% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.4% e përbëjnë  makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.7% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj.”, tregon komunikata.

Shkëmbimi i mallrave të Kosovës me vendet e BE-së

ASK bën të ditur se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.3 milionë Euro, ose rreth 26.9 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 11.4 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 6.1 për qind, Holanda 3.8 për qind, Sllovenia 2.5 për qind.

Të dhënat tregojnë se importet nga vendete e BE-së u rritën mbi 9 për qind.

“Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124.4 milionë Euro, ose 40.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.7%), Italia (4.5%), Spanja (4.1%), Sllovenia (3.4%), Greqia (2.8%) etj.”, bën të ditur komunikata.

Tregtia e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-së ranë për më shumë se 7 përqind. Partner i Kosovës në eksportin e jashtëm mbetet Shqipëria.

“Në muajin tetor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16.0 milionë Euro, ose 41.9% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.3%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18.6%), Maqedonia (10.4%), Serbia (8.2%), dhe Mali i Zi (3.0%)“, tregon komunikata.

Nën anën tjetër ASK thotë se importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2018, arritën në 86.2 milionë Euro, ose 27.9 përqind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 15.6 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 12.3 për qind, Shqipëria 7.4 për qind, Maqedonia 5.1 për qind dhe B&H 2.6 për qind.

Kosova vs vendet matanë botës

Në muajin tetor, drejtë vendeve tjera të botës, Kosova eksportoi rreth 12 milionë euro me partner primarë Indinë.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11.9 milionë Euro, ose 31.3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (18.1%) dhe Zvicra (8.0%)”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 98.1 milionë euro, ose 31.8 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 10.2 për qind dhe Kina 9.7 për qind.

Në muajin nëntor, Qeveria e Kosovës vendos taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Në anën tjetër një muaj më parë, nga Serbia në Kosovë u importuan mbi 37.8 milionë euro mallra në raport me muajin e njëjtë të një viti më parë pëson një rënie të papërfillshme më pak se një për qind sa ishin 38.1 milionë euro.

Për dallim nga Serbia, importet nga Bosnja dhe Hercegovina u rritën në muajin tetor për rreth 3 milionë euro. Nga 5.6 milionë euro sa ishin në muajin tetor të një viti më parë ato u rriten në 8 milionë euro.

Në anën tjetër me rënie ishin edhe eksportet edhe ashtu të vogla të Kosovës drejt Serbisë. Nga mbi 1.9 milionë euro sa ishin në tetorin e vitit të kaluar ato ranë në 1.1 milionë euro muajin tetor të këtij viti.

Gjithashtu edhe eksportet drejt Bosnjë  Hercegovinës nga 943 mijë euro në tetorin e një viti më parë ranë në 649 milionë euro në tetorin e sivjetmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat