Sistemi Informativ i Tregut të Punës tanimë në dispozicion të qytetarëve

Ekonomi

Sistemi Informativ i Tregut të Punës tanimë në dispozicion të qytetarëve

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 14:43
Lansimi i Sistemit Informativ të Tregut të Punës

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përkrahur nga Projekti për Punësimin e të Rinjve (EYE)- projekt ky i SDC-së, lansuan sot Sistemin Informativ të Tregut të Punës.

Ky sistem ka për qëllim të sigurojë informacione lidhur me punësimin dhe karrierën për studentët, të papunët, punëkërkuesit, prindërit, si dhe këshilltarët për karrierë duke mbledhur një sërë të dhënash nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (rreth regjistrimit të popullsisë, Anketa e Fuqisë Punëtore), nga MASHT (statistikat e arsimit), MPMS (të papunësuarit e regjistruar, përfituesit e asistencës sociale, vendet e lira të punës etj), nga Administrata Tatimore (shifrat zyrtare të punësimit), MTI (regjistri i bizneseve) në një platformë të përbashkët që do të ofrojë informacione të përditësuara mbi  trendin dhe tendencat në tregun e punës në Kosovë.

Në fjalën e tij të rastit Ministri i Punës dhe Mirëqenie Sociale Skender Reçica u shpreh: “Lansimi i sistemit informativ të tregut të punës  ku do të grumbullohen të gjitha informatat e tregut të punës duke përfshirë edhe modulin e orientimit në karierë do na  lehtësojë rrugën që të ofrojmë trajnime profesionale duke u bazuar në nevojat e tregut të punës si dhe shkollave të mesme  profesionale që të hartojmë kurikula përkatëse sipas nevojave të tregut. Uroj përzemërsisht të gjithë ju që keni punuar për të lansuar sot ketë program dhe në të njejtën kohë bëj thirrje për bashkëpunim të gjitha insistucioneve tjera që ta bejmë ketë sistem storie suksesi dhe model për vendet e rajonit.”

Zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë Alessandra Roccasalvo theksoi rendësinë që sistemi do ta ketë në të ardhmen: “Bota ka prodhuar më shumë të dhëna vetëm gjatë vitit 2017, sesa në tërë historinë paraprake të njerëzimit. Pra, të dhënat janë atje. Ne vetëm duhet t’i kemi mjetet dhe njohuritë për t’i shfrytëzuar dhe për të siguruar qasje gjithëpërfshirëse në këto të dhëna për qytetarët. Prandaj unë jam i lumtur që jam këtu me shumë nga partnerët tonë në lansimin e Sistemit Informativ të Tregut të Punës - një mjet i shkëlqyeshëm për të ndihmuar politikëbërësit, sektorin privat, si dhe studentët dhe ata që hyjnë në tregun e punës për të bërë zgjedhje të drejta.”

Në këtë ngjarje të pranishmëve iu drejtua edhe menaxheri projektit Enhancing Youth Employment (EYE) Durim Hoxha kurse ne panel morën pjesë Shpëtim Kalludra nga Agjencia e Punësimit të Kosovës, Radica Berisha nga MASHT, Ferid Sylejmani nga Administrata  Tatimore e Kosovës, Mehdi Pllashniku nga Agjencia për Regjistrimit e Bizneseve të Kosovës, Bujar Hajrizi  nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Zana Tabaku nga Appdec dhe Bekim Kasumi nga Busulla.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat