Rukiqi: Kosovës po i mungon më shumë gruri dhe hekuri

Ekonomi

Rukiqi: Kosovës po i mungon më shumë gruri dhe hekuri

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 14:03
Berat Rukiqi

(E plotësuar) - Oda Ekonomike e Kosovës në një konferencë për media ka prezantuar raportin e tremujorit të tretë të për klimën e biznesit, gjatë së cilës u përmend edhe taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës për prodhimet serbe.

Lidhur me bizneset që lëndën e parë e marrin nga Serbia, Rukiqi tha se problemin më të madh po e kanë me grurë dhe hekur. Për këtë problem, Rukiqi tha se po tentojnë të gjejnë zgjidhje në Kroaci, Bullgari e Turqi.

Rukiqi: Kemi mungesë të grurit dhe hekurit

“Dy janë domethënë problematikat kryesore, dy produkte po flas, se tjerat zëvendësohen shumë lehtë dhe shumë shpejt. Është gruri, edhe për shkak të çmimit të lartë në tregjet tjera, edhe është hekuri, çeliku. Ka mundësi që të importojmë çelik në Shqipëri, por çmimet, kontratat ose sasitë janë konkururese për tregun tonë”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi përmendi një sërë rastesh të kompanive kosovare të cilave Serbia u kishte vendosur barriera në lidhje me tregtimin e mallrave. E për këto barriera, Rukiqi tha se rrallë herë ka reaguar CEFTA.

Rukiqi: Në shumicën e rasteve nuk ka reaguar CEFTA e as Komisioni Evropian

“Në shumicën prej tyre nuk ka dhënë përgjigje CEFTA e as Komisioni Evropian e as Serbia. Domethënë janë një varg që kam vendosur t’i prezantoj e mos të flasim për rastet e fundit edhe pas masës, por edhe para se të fillonte masa kur produkte nga Kosova, të cilat e kanë një treg solid në Serbi, sado pak që janë, ka raste kur i kanë larguar edhe nga raftet”, ka deklaruar Rukiqi.

Lidhur me raportin e tremujorit të tretë të vitit 2018, Rukiqi tha se disa nga barrierat në të bërit biznes janë ekonomia joformale e konkurrenca joreale.

Ndër të tjerash, ai tha se ky publikim mëton të ofrojë informacion të besueshëm.

Rukiqi: Në përgjithësi bizneset e vlerësojnë gjendjen si të kënaqshme

“Sa i përket këtij tre mujori janë intervistuar 447 kompani nga tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe shërbimet. Në përgjithësi 46 përqind e kompanive e vlerësojnë gjendjen si të kënaqshme, është një rënie në raport me tremujorin e dytë, mirëpo prapë se prapë mbetet një pjesë dërrmuese e bizneseve që e vlerësojnë gjendjen e kënaqshme”, ka thënë Rukiqi.

E lidhur me panairin e Agrobiznesit që do të fillojë këtë të hënë, Rukiqi ka njoftuar se do të marrin pjesë 40 kompani, prej tyre 38 nga Kosova, një nga Shqipëria dhe një nga Italia.

Rukiqi ka thënë se kanë dashur ta lënë pikërisht në javën e CEFTA-s që t’u tregojnë atyre se bizneset kosovare kanë potencial për prodhim.

Po ashtu, Rukiqi ka njoftuar se një vlerësim për efektet e taksës 100% do ta japin përmes raportit të tremujorit të katërt, për të cilin tha se do të publikohet kah fundi i janarit të vitit 2019.

***

Gruri dhe hekuri janë dy produktet që po u mungojnë më së shumti bizneseve vendore në lëndën e parë e merrnin nga Serbia.

Kështu ka bërë të ditur sot përmes konferencës për media Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili tregoi se për mungesën e grurit janë duke u angazhuar për ndonjë marrëveshje me Kroacinë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Këto u thanë gjatë publikimit të raportit "Indikatori matës i tendencës në biznes për tremujorin e tretë të vitit 2018".

Rukiqi njoftoi se se janë intervistuar 447 kompani nga sektorë të ndryshëm, prej së cilave vetëm 46% e kanë vlerësuar të kënaqshme gjendjen në biznes. Rukiqi shtoi se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018 është rritur aktiviteti ekonomik.

Lidhur me taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, Rukiqi tha se efektet e saj do të shihen në raportin e tremujorit të katërt, i cilido të publikohet kah fundi i janarit.

Përmes një dokumenti, Rukiqi përmendi një sërë barrierash që Serbia i ka bërë Kosovës në lidhje me mallrat që janë importuar. E për këtë, sipas tij as CEFTA e as Komisioni Evropian nuk kanë dhënë përgjigje.

Këtë të hënë do të hapet panairi i agrobiznesit ku pjesëmarrëse do të jenë 40 kompani, prej tyre 38 nga Kosova, një nga Kosova e një nga Italia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat