OEAK: Korrupsioni cenon mundësitë e barabarta për bizneset - Bota Sot
OEAK: Korrupsioni cenon mundësitë e barabarta për bizneset

Ekonomi

OEAK: Korrupsioni cenon mundësitë e barabarta për bizneset

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:03
Ilustrim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, shpreh shqetësimin lidhur me transparencën në rënie dhe angazhimin e ulët të Qeverisë së vendit dhe të institucioneve të tjera shtetërore në luftimin e korrupsionit.

OEAK thotë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për një luftë më të efektshme kundër kësaj dukurie e cila cenon prospektet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, retorika e zotimeve dominon veprimet e mangëta në këtë drejtim.

“Arritja e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit do të ishte dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve përgjegjëse për heqjen e një njolle që vazhdon të pasqyrojë vendin në raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare e vendore. Raportimet e tilla padyshim se zvogëlojnë mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ndërsa viti 2018 sjell shifra shqetësuese në këtë drejtim. Studimi i fundit i Odës Amerikane mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se mbi 75% e bizneseve besojnë se korrupsioni në Kosovë është sistemor, derisa faktorët që mundësojnë korrupsionin janë sundimi i dobët i ligjit, mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe korniza e mangët ligjore, derisa mbi 50% e bizneseve të anketuara besojnë se niveli korrupsionit ka mbetur i njëjtë krahasuar me pesë vite më parë. Studimi po ashtu ka gjetur se institucionet në të cilat bizneset janë ballafaquar me korrupsion përfshijnë ministritë e linjës, ndërmarrjet publike, zyrtarët tatimorë, institucionet e drejtësisë dhe komunat. Oda Amerikane vlerëson se një gjyqësor efikas dhe llogaridhënës do të ishte jetik në çrrënjosjen e korrupsionit, derisa perceptimi mbi institucionet e korruptuara të drejtësisë rrënon besimin e bizneseve dhe dekurajon rolin e tyre aktiv në raportimin e veprimeve korruptive. Studimi mbi perceptimin e korrupsionit ka gjetur se vetëm 15% e bizneseve kanë raportuar rastet e korrupsionit tek autoritetet përkatëse”, thuhet në komunikatën e OEAK.

Oda Ekonomike Amerikane beson se asnjë prioritet tjetër nuk do të duhej të linte në hije luftën kundër korrupsionit, meqë një mjedis pa korrupsion do të ofronte prospekte të barabarta zhvillimore për bizneset e vogla dhe të mesme, do të rriste mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, e rrjedhimisht do të ofronte edhe mundësi reale për vende të reja të punës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...