Për 10 muaj falimentojnë mbi një mijë biznese

Ekonomi

Për 10 muaj falimentojnë mbi një mijë biznese

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:09
Ilustrim

Nga janari deri në tetor të këtij vitit në Kosovë kanë falimentuar një mijë e 389 biznese. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak i bie që ky numër është rritur, ku për 10 muaj, në vitin 2017 kishin falimentuar një mijë e 302 biznese.

Këto të dhëna i ka bërë publike për kp Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për media e kësaj Ministrie.

Por nga MTI nuk është sqaruar se cilat kanë qenë arsyet që kanë ndikuar në falimentimin e këtyre bizneseve.

Megjithatë, sipas të dhënave nga MTI, rritje ka shënuar edhe regjistrimi i bizneseve të reja për 10 mujorin e vitit 2018, ku janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 433 biznese. Ndërkohë që një vit me parë për periudhën e njëjtë ishin regjistruar 8 mijë e 93 biznese.

Por, numri prej mbi një  mijë i bizneseve që kanë falimentuar, është shqetësuese për anëtarin e bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hamdi Malushaj.

Ai thotë, se arsyeja kryesore pse bizneset nuk mund të mbijetojnë në Kosovë është klima e të bërit biznes.

Sipas Malushajt, në vend nuk ka respektim të ligjeve, që ai thotë se rregullativa ligjore është një nga shkaktarët që ndikojnë që bizneset të falimentojnë.

Malushaj: Klima e të bërit biznes shkaktari kryesor pse bizneset falimentojnë

“Klima e të bërit biznes në Kosovë është shkaktari kryesor pse bizneset falimentojnë. Falimentojnë për shumë argumente, është rregullativa ligjore, iu bëj thirrje për rregullativen ligjore se ligji në Kosovë nuk zbatohet. Këtë jemi mësuar ta dëgjojmë thuajse prej shumë kompetentëve, prej të gjitha debateve, analizave, ka qenë gjithmonë se Kosova ka ligje të mira po nuk ka zbatueshmëri të ligjeve. Ka qenë e vërteta se as nuk ka pasur ligje të mira, as vullnet për zbatim. Pjesa e vullnetit të madh për zbatim të ligjeve ka qenë pjesa e hapësirave ligjore ku e pengojnë zhvillimin ekonomik për të interferuar në biznese sipas dëshirës së zyrtarëve dhe me i përdor ato pika të dobëta të biznesit për përfitime të dikujt”, tha Malushaj.

Ai ka thënë se në Kosovë nuk ka klimë të favorshme për të bërë biznes.

Malushaj: Klima e të bërit biznes e zhvillon biznesin

“Biznesi nuk gjen punëtor, shteti i ka 10 fish, 20 fish ose deri në 1 mijë për një vend pune, ne kurrkund nuk gjejmë, se sot biznesi nuk ofron edhe kushte, pa fajin e vet, se klima e të bërit biznes e zhvillon biznesin. Kushtet për të bërë biznes në Kosovë pothuajse janë barrë e rëndë ligjet edhe shteti, jo edhe sa mundet vet me punua e ka të drejtën”, është shprehur ai.

Përveç Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës që çdo tre muaj publikon raporte rreth numrit të bizneseve të regjistruara. Por, nuk ka raporte rreth numrit të bizneseve të cilat falimentojnë.

Ditë më parë, ASK ka publikuar raportin për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku për periudhë kohore janë regjistruar 2 mijë e 212 ndërmarrje.

“Krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2018) në TM3 2018 ka pasur rënie për 16.1% të ndërmarrjeve të regjistruara. Po ashtu, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2017) ka pasur një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 0.1%”, thuhet në raport.

ASK ka bërë të ditura edhe aktivitetet ekonomike që janë regjistruar gjatë këtij tre mujori,

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 519 ndërmarrje të regjistruara (23.5%); prodhimi me 214 ndërmarrje të regjistruara (9.7%); akomodim dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 212 ndërmarrje të regjistruara (9.6%); ndërtimtaria me 189 ndërmarrje të regjistruara (8.5%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 182 ndërmarrje të regjistruara (8.2%); informimi dhe komunikimi me 149 ndërmarrje të regjistruara (6.7 %); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 145 ndërmarrje të regjistruara (6.6%); ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në raport.

Kurse, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, në raport thuhet se prin komuna e Prishtinës, e pasuar nga ajo e Ferizajt, pastaj Prizreni, Gjilani, dhe Mitrovica.

Ndërkaq, në tre mujorin e dytë të këtij viti, sipas ASK-së janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 636 ndërmarrje, ku sipas raportit vërehet rritje pre 17.8 përqind krahasuar me tre mujorin e njëjtë të vitit 2017.

Në tremujorin e parë të vitit 2018 janë regjistruar 2 mijë e 556 ndërmarrje, ku sipas raportit të ASK-së krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 kishte rënie prej 10.3 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat