Prodhimet e Kosovës për ushtri të shteteve të rajonit

Ekonomi

Prodhimet e Kosovës për ushtri të shteteve të rajonit

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 14:20
Prodhimet vendore

Një ndërmarrje e Kosovës, përveç që po arrin të mbulojë tregun vendor në rreth 80 përqind, po eksporton produkte ushqimore në tregun evropian dhe në regjion, madje edhe në një shtet të rajonit për ushtri të saj.

Industria Ushqimore “Amo” nga Gllareva në Klinë ka një traditë në fushën e prodhimit të ushqimeve konditorike.

Prodhimet kryesore janë produktet konditorike, rolada të ndryshme, biskota dhe petë për torte me gramatura dhe shije të ndryshme.

Pronari i kompanisë “Amo”, Bujar Morina thotë se taksat 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës ka ndikuar në prodhim dhe shitje, që sipas tij, një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm.

Morina: Prodhojmë një gamë të gjerë produktesh

“Kompania jonë është ndër të parat në Kosovë që merret me këtë gamë të këtyre produkteve... Çdo gjë që është e mirë për prodhues, është e mirë edhe për ne. Qeveria, Ministria, kanë bërë atë(për taksën ndaj produkteve serbe), që është dashur me bërë… Sa janë cilësore produktet tona, vet fakti flet se gati në gjitha vendet evropiane eksportojmë”, thotë Morina.

Shtrirja e tregut të kësaj industrie, sipas Morinës, është sukses që përmes kualiteteve dhe cilësisë së lartë, përveç tregut vendor produktet e “Amo” janë të dëshmuara dhe të kërkuara edhe në tregjet e huaja.

Për shkak të ndjeshmërisë, ai nuk ka treguar se ushtria e cilit shtet furnizohet me produkte të “Amo”. 

Morina: Gati në të gjitha vendet evropiane eksportojmë

“Gati në të gjitha vendet evropiane eksportojmë. Çka është më kryesore, eksportojmë edhe në disa vende ku këto produktet përdoren për ushtri të atyre shteteve. E nëse dikush e përdorë për ushtri të shtetit të vet, atëherë vet fakti tregon se në kemi kualitet superior… Po i përmendi disa prej tyre, Belgjikën, Holandën, Danimarkën, Rumaninë, ndërsa në shtetet e regjionit, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, në Malin e Zi dhe në Bosnje”, thotë Morina.

Duke folur për vështirësitë e të bërit biznes, Morina ka thënë se po ballafaqohen në vazhdimësi me plot barriera, por disa prej tyre sipas tij, janë eliminuar që prej janari të këtij viti.

Morina: Barrierat gjithmonë ekzistuar dhe do të ekzistojnë

“Barrierat gjithmonë ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, mirëpo megjithatë të jemi shumë real, që nga Viti i Ri e këndej janë hequr shumë barriera. Është hequr(barriera) për importimin e teknologjisë për prodhim, makinerisë për prodhimi, linjave për prodhim, që ka qenë një pengesë shumë e madhe për ne, e cila ka qenë kërkesë e kamotshme për investitorët”, thotë Morina.

Produktet e “Amo” përbëhen prej erëzave, dhe produkteve të ëmbla.

Ndërmarrja që ka të punësuar diku 340 punëtorë, është themeluar në vitin 2008 dhe ka një objekt mjaft komod me hapësira të pastra dhe higjienike, me një sipërfaqe rreth 7500 metra katror, ka teknologji dhe pajisje bashkëkohore. Stafi i ndërmarrjes është i kualifikuar dhe i trajnuar konform standardeve të njohura evropiane. “Amo” është e certifikuar me ISSO 22000 dhe atë HASAP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat