Krasniqi: Taksa ndaj Serbisë, mundësi për shtim të prodhimtarisë vendore

Ekonomi

Krasniqi: Taksa ndaj Serbisë, mundësi për shtim të prodhimtarisë vendore

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 18:01
Skënder Krasniqi

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), me rastin e festave të fundvitit, ka organizuar koktejin e përbashkët të bizneseve dhe partnerëve nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Me këtë rast, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit (OAK), Skënder Krasniqi ka thënë se çdo kush i gëzohet ditëlindjes së vet, sidomos kur ajo festohet me të gjithë ata me të cilët i ka ndarë idetë që Kosova të jetë një vend ku duhet të rritet besimi për të jetuar dhe investuar.

Krasniqi: Shumë probleme kanë bizneset

“Gjatë këtij viti kemi takuar me qindra biznese, institucione, kemi organizuar tryeza dhe kemi dërguar me qindra letra në drejtim të institucioneve, duke u angazhuar në lobimin e bizneseve me Doganën e Kosovës, ATK, Qeverinë dhe Kuvendin, sidomos në dhënien e propozimeve konkrete se si mund të mënjanohen një sërë problemesh që ka biznesi, duke filluar nga ligjet që në shumë raste janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, udhëzimet administrative që janë në kundërshtim me ligjin dhe qëndrojnë me vite të tëra të pandryshuara. Problemet me energji elektrike janë duke e dëmtuar rëndë biznesin dhe kërkesat tona janë që këto të evitohen. Po ashtu, janë problemet në bujqësi dhe kërkesa që Kosova të krijojë produkte strategjike, problemet me çmimet damping, problemet në sektorin minerar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se probleme të tjera janë edhe në sektorin e peshkut ku bizneset paguajnë dy taksa të ujit në kundërshtim me ligjin.

Sipas Krasniqit, probleme ka edhe në infrastrukturë, problemet e rënda të furrtarëve me çmimin e energjisë elektrike dhe çmimet nën kosto. Problem tjetër është edhe për prodhuesit, ku shteti akoma favorizon importin e lëndës së parë nga jashtë. Gjithashtu, problemet e kabllovikëve në komunën e Ferizajt dhe shumë probleme të tjera me të cilat bizneset janë duke u ballafaquar në vazhdimësi.

Krasniqi ka thënë se për disa çështje OAK ka hasur në mirëkuptim duke ofruar gjithmonë arsyeshmëri, ndërsa për çështje të tjera kanë pasur edhe mosmarrëveshje, por siç tha ai, janë këtu sot, pasi janë të bindur se mund dhe duhet punuar së bashku.

Krasniqi: Taksa ndaj Serbisë, mundësi për shtim të prodhimtarisë vendore

“Kur jemi tek institucionet, nuk mundemi të mos përmendim mbështetjen tonë për taksën 100 për qind për prodhimet që vijnë nga Serbia dhe BeH. Le të jetë ky vendim për taksën, një pikë kthese për mbarësi... Ne kemi nevojë për një ekonomi që nuk bazohet vetëm në atë që konsumojmë dhe importojmë nga vendet tjera, por me ndihmesën dhe koordinim me qeverinë tonë, ne mund të prodhojmë dhe të shesim në tërë botën”, tha kreu i OAK.

Ai ka shtuar se janë angazhuar shumë gjatë vitit ta sensibilizojnë opinionin publik dhe Qeverinë e vendit, se Kosova duhet të largohet nga CEFTA si UNMIK, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të fillohet negocimi si Republikë e Kosovës.

Ndërsa, preokupim kryesor për OAK për vitin 2019 do të jenë heqja e disa udhëzimeve administrative që janë duke u shkaktuar probleme disa bizneseve sidomos atij minerar, ulja e çmimit të energjisë për bizneset, ndryshimi i ligjit të punës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat