Austria do t’u sekuestrojë paratë dhe telefonat azilkërkuesve

Evropë

Austria do t’u sekuestrojë paratë dhe telefonat azilkërkuesve

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 07:46
Kancelari Kurz deklaron se Austria duhet të “shkatërrojë modelin e biznesit” të trafikantëve

Viti 2019 do të jetë një vit shumë i vështirë për të gjithë ata azilkërkues të bllokuar në Bosnjë apo Kroaci që synojnë të mbërrijnë ilegalisht në Austri. Ky shtet do tu mohojë automatikisht aplikimin për azil të gjithë emigrantëve që arrijnë të hyjnë në territorin austriak me ndihmën e kontrabandistëve.

Kancelari Kurz deklaron se Austria duhet të “shkatërrojë modelin e biznesit” të trafikantëve dhe se ky plan i ri do ta bëjë më të drejtë sistemin e pranimit për azilkërkuesit që vërtet u është rrezikuar jeta nga lufta në vendlindje. Masat strikte anti-imigracion parashikojnë konfiskimin e parave dhe telefonave celularë që emigrantet ilegale do të kenë me vete.

Qeveria austriake thotë se paratë e konfiskuara do të shkojë drejt kujdesit fillestar për emigrantet ilegale, ndërsa nëpërmjet telefonave të tyre celularë do të përcaktohet origjina se nga cili vend janë nisur.

“Nuk janë më të varfrit që ikin, por ata që mund të përballojnë kostot që u vënë trafikantët e qenieve njerëzore. Fluksi i pakontrolluar i emigrantëve të paligjshëm e ka shndërruar Detin Mesdhe në det me njerëz të vdekur. Në kampet e improvizuara në Libi, emigrantët afrikanë janë ‘skllavëruar dhe torturuar’ nga trafikantët lokalë. Ne duhet të shkatërrojmë modelin e biznesit të ngritur nga trafikantet e qenieve njerëzore. Është përgjegjësia jonë e krishterë-shoqërore që t’i përmirësojë kushtet e jetës në Afrikë”, tha Kurz.

Kancelari austriak vlerësoi kompaninë Siemens për investimin e saj prej 500 milionë eurosh në krijimin e vendeve të punës në kontinentin afrikan. Kurz pohoi se në Afrikë duhet të krijohen ’18 milionë vende të reja pune’ çdo vit, sepse gjendja ekonomike popullsisë në këtë kontinent është dramatike.

Kurz tha se ishte një gabim që njerëzve në kontinentin afrikan u ishte dhënë përshtypja se mund të kalojnë lehtësisht në Evropë. Gjatë këtij viti dështoi propozimi austriak për ngritjen e kampeve të pritjes së refugjatëve në shtete ballkanike si Shqipëria, ndërsa brenda BE-së ka mosmarrëveshje sesi duhet përballuar një fluks i ri refugjatësh që mund ta kërcënojë Evropen nga rruga ballkanike apo Deti Mesdhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat