Britania e shpall ‘incident madhor’ fluksin e emigrantëve në La Mansh

Evropë

Britania e shpall ‘incident madhor’ fluksin e emigrantëve në La Mansh

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 22:45
Emigrantet

Numri gjithnjë e në rritje i emigrantëve që po përpiqen të kalojnë kanalin anglez, apo përmes ngushticës së La Manshit me varka të papërshtatshme për lundrim, ka bërë që Sekretarja e Brendshme britanike ta shpallë këtë situatë “një incident madhor”.

Sajid Javid ka kërkuar një telefonatë urgjente me homologun e tij francez, për të diskutuar mbi situatën. Ministria e Brendshme tha se ekzistonte “shqetësimi se, është thjesht çështje kohe përpara se njerëzit të humbasin jetët e tyre”.

Zhvillimi i fundit vjen pasi të paktën 221 emigrantë janë përpjekur të kalojnë drejt Anglisë që prej fillimit të nëntorit. Së fundi, 12 persona u burgosën teksa u kapën pranë brigjeve të Doverit në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Zyrtarë nga të dyja shtetet kanë paralajmëruar për rrezikun e kalimit të atij që konsiderohet si një prej linjave detare më të ngarkuara të botës, përmes varkave apo gomoneve të vogla.

Në deklaratën e publikuar nga Ministria e Brendshme britanike thuhet se Javid “ka marrë kontrollin për t’iu përgjigjur” situatës.

Javid thuhet gjithashtu të jetë emëruar si “komandanti i artë”, një referencë që nënkupton se ai ka përgjegjësinë finale për menaxhimin dhe rezultatet që do të ketë ky “incident”, e sigurisht edhe për përcaktimin e strategjisë sesi do të përballet me të.

Ai pritet të marrë informacione të përditësuara nga Ministria e Brendshme, e sigurisht ka folur edhe me zyrtarë të Forcave Kufitare, me Agjencinë për Emigracionin dhe me Agjencinë Kombëtare të Krimit përmes një videokonference.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat