Zyra e Jashtme Britanike publikon kërkesat më të çuditshme të qytetarëve

Evropë

Zyra e Jashtme Britanike publikon kërkesat më të çuditshme të qytetarëve

Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Pyetjet për vampirët në Poloni dhe sallamin vegjetarian janë në mesin e pyetjeve më të çuditshme që qytetarët britanikë të ndodhur jashtë vendit ia kanë bërë Zyrës së Jashtme. Publikimi i këtyre pyetjeve është bërë me qëllim që qytetarët të vetëdijësohen se numri i këtij institucioni duhet të përdoret vetëm për raste emergjente.

Zyra e Jashtme ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 i ka pranuar më shumë se 330 mijë thirrje nga qytetarët britanikë që jetojnë jashtë vendit ose që kanë udhëtuar përkohësisht në një vend tjetër.

Një person në Holandë kishte kërkuar t’i shpjegohej komploti në filmin “Bravehheart”. Ndërkaq, një qytetar i ndodhur në Ishujt Kanare kishte kërkuar që Zyra e Jashtme ta bindë hotelin për t’ia dhënë atij një dhomë tjetër sepse një mace e humbur i kishte hyrë në dhomë dhe kishte urinuar në shtratin e dhomës.

Një person në SHBA telefonoi për të pyetur se kush ka fituar në një garë vallëzimi që shfaqet në televizor. Dikush tjetër në Poloni kishte pyetur se a ka vërtet vampirë në Poloni, pasi një grua e kishte pyetur për grupin e gjakut në takimin e tyre të parë. Ndërkaq, një telefonues ishte interesuar për blerjen e sallamit vegjetarian në Indi.

Dikush në Itali telefonoi për të kërkuar këshilla për llojin e luleve në dasmë dhe për të rezervuar bileta për takim me Papën, ndërsa nga Kuvajti e morën një telefonatë nga një person i cili kishte pyetur se a dëshiron ndokush nga stafi t’i adoptojë qentë e tij, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat