Policia e Parisit përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve të dhunshëm

Evropë

Policia e Parisit përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve të dhunshëm

Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 16:10
Paris

Policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për ta shpërndarë masën e protestuesve të dhunshëm, të cilët ishin mbledhur të shtunën në Paris. Sidoqoftë, numri i protestuesve në javën e shtatë të protestave ishte shumë më i vogël në krahasim me protestat e mëparshme.

Rreth shtatëqind protestues u mblodhën në qendër të Parisit duke brohoritur “lajme të rreme” dhe duke kërkuar që presidenti të japë dorëheqje. Ata filluan ta sulmonin policinë me gjësende të forta, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe arrestoi disa persona.

Disa veturave iu vu zjarri pranë zyreve të gazetës “Le Parisien”. Policia përdori gaz lotsjellës edhe në Nantes, ndërsa tubime ishin paralajmëruar edhe në Lyon, Bordeaux dhe Toulouse. Edhe në Marseille u mblodhën rreth një mijë protestues, të cilët brohorisnin “Makroni jashtë”.

Numri i protestuesve ka rënë dukshëm nga java në javë. Sipas policisë, në protestën e djeshme kanë marrë pjesë rreth 12 mijë protestues, ndërsa para një jave kjo shifër ishte 38 mijë. Ndërkaq, në javën e parë të protestave kishin marrë pjesë jo më pak se 282 mijë protestues, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat